Transmetuar më 04-07-2018, 18:14

Këshilli Mbikëqyrës i Bankës së Shqipërisë e gjykoi të nevojshëm sot, vazhdimin e programit të ndërhyrjeve në tregun e brendshëm valutor.

Ky këshill pranon se programi i blerjeve të valutës është një instrument i jashtëzakonshëm dhe i përkohshëm i politikës monetare.

Programi është i orientuar ekskluzivisht drejt respektimit të objektivit të stabilitetit të çmimeve dhe është i diktuar nga ambienti me norma të ulëta interesi. Si i tillë, kohëzgjatja e tij do të jetë e kufizuar, e kushtëzuar nga shmangia e efektit negativ që kursi ka në përmbushjen e objektivit të inflacionit.

Por sa po funksionon ndërhyrja e BSH?

Gjatë gjithë këtyre javëve ka vazhduar rënie drastike e vlerës së valutave, kryesisht euros dhe dollarit, duke arritur në pika kritike që nuk ishin parë dhjetë vitet e fundit.

BSH në mbledhjen e afro një muaji më parë shpalli planin e ndërhyrjes dhe bleu në treg miliona euro pasi më herët në shkurt dhe mars kishte blerë 20 milionë euro.

Efekti ishte modest dhe i papërfillshëm sepse këmbimi valutor nuk pësoi ndryshime domethënëse. Aktualisht një euro këmbehet me afro 125 lekë, vlerë që ishte e njëjtë edhe me periudhën para ndërhyrjes.

Sot, z.Sejko njoftoi se ndërhyrja në treg do të vazhdojë. I pyetur se sa euro do të blihet në treg, guvernatori pranoi se “nuk e dimë dhe nuk mund ta dimë se sa euro do të blejmë në treg” dhe shtoi:

“Duke qenë se nuk përcaktojmë dot kursin, nuk përcaktojmë dot as masën e ndërhyrjeve tona”.

“Banka e Shqipërisë ka filluar aplikimin e programit të ndërhyrjeve duke blerë valutë në treg. Ky program ka patur efekt pozitiv; nëpërmjet tij ne kemi frenuar mbiçmimin e monedhës vendase, që u vlerësua negativ”, – tha z.Sejko.

Ai shtoi se “nuk mund të parashikojmë në mënyrë absolute sa do të shpenzojmë dhe sa do të vazhdojë programi i ndërhyrjeve sepse kjo varet nga ecuria e kursit të këmbimit në të ardhmen”.

Guvernatori i BSH tregoi sot se në sistemin bankar qarkullojnë aktualisht 4.3 miliardë euro.

Por, tregu përfshin tregun formal dhe atë informal dhe ne nuk kemi të dhëna mbi eurot e tregut informal, – shtoi z.Sejko.

Ndërsa vijoi: “Aktualisht ne po zbatojmë një program ndërhyrjesh për efekt të ndikimit të mbiçmimit të kursit të këmbimit në inflacion, por sigurisht që dhe para kësaj ne kemi blerë valutë në treg për efekt të rezervës valutore të Bankës së Shqipërisë. Këto transaksione mund të kenë të njëjtin ndikim pasi ne e blejmë me lekë euron, por qëllimet kanë qenë të ndryshme”.

Sejko siguroi se programi i ndërhyrjeve ka dhënë efekt në frenimin e mbiçmimit të kursit të këmbimit, duke aluduar se  eurot që u blenë së fundi nga BSH, kanë frenuar mbiçmimin e mëtejshëm të lekut kundrejt valutave. /noa.al/