Transmetuar më 30-06-2018, 08:58

Pas shumë debatesh, dy ditë më parë u bë me dije se u arrit marrëveshja mes Bashkisë së Tiranës dhe artistëve, për ndërtimin e Teatrit të ri Kombëtar.

Por pavarësisht kësaj debatet dhe protestat nuk kanë ndalur, për shkak se ndërtimi i tij do të bëhet me Partneritet Publik Privat.

Në favor të ndërtimit të një teatri të ri, është shprehur edhe aktori i njohur Robert Ndrenika, i cili fillimisht ishte kundër tij.

Por përballë kritikave me të cilat është ndeshur, ai ka vendosur të bëjë një qëndrim publik.

Reagimi i tij i plotë

Ju lutem…mos më kryqëzoni! Për dijeni mikeshës time gazetares Fatmira Nikolli por le ta dije dhe “tan bota mbarë”! Kam qenë (prej vitesh) dhe jam për një Teatër Kombëtar të ri dhe bashkëkohor te cilin e ka për DETYRË ta bëjë shteti shqiptar (paratë le ti marrë ku të dojë, ndoshta dhe atje ku i merrte Josif Broz Tito)!

Këtë gjë nuk e kam mbajtur të fshehtë por ua kam bërë të ditur prej kohësh kolegëve të mi por kur ka qenë rasti dhe në opinion publik. I vetmi lëshim që kam bërë ditët e fundit është se kam pranuar P.P.P. me kushtin e vetëm që përveç godinës (Teatër) që do të ndërtohet në favor të P.P.P. nuk do lëshohet asnjë cm katror nga TOKA e TEATRIT KOMBËTAR!

Të kanë gënjyer do të thotë dikush dhe unë përgjigjem po BESA e shqiptarit ku vete??? Së fundi ju bëj të ditur se nuk jam JEZU KRISHTI bile as BARABA dhe gojën nuk e kam vetëm për të ngrënë kos (pa yndyrë) dhe të pi ilaçe por e kam edhe për të FOLUR !!! Me respekte te ndërsjella Robert Ndrenika. /a.y/noa.al