Transmetuar më 27-06-2018, 11:44

“Kur ka vullnet, ka rrugëzgjidhje!” Kështu e nis kryebashkiaku i Tiranës Erion Veliaj, bërjen publik të faktit se me artistët, është arritur marrëveshja për çështjen e Teatrit Kombëtar.

Ai shpreh mirënjohje nga zemra për aktorët, regjisorët, arkitektët, inxhinierët dhe sidomos sindikatat e protestuesve.

“Falë kontributit të secilit kemi një marrëveshje më të mirë dhe jemi sot gati të nisim negociatat për një Teatër të ri Kombëtar!”, shkruan Veliaj.

Ai publikon një fotografi ku shihet i buzëqeshur në krahë të aktorëve Arben Derhemi dhe Alfred Trebicka, si dhe me regjisorin Altin Basha.

Veliaj shtoi se është rënë dakord që në ligj të jepen garancitë e duhura për artistët që Teatri i Kombëtar do të jetë në sipërfaqen ku ajo ekziston edhe sot, me një godinë të vetme dhe që mbi të gjitha, që do të bëhet pa shpenzime të fondeve publike.

“Projekti që kemi sot është më i mirë. Nuk është ndoshta projekti perfekt, por tashmë e kemi të sanksionuar në ligjin që do të negociojë teatrin e ri, se prona e teatrit nuk preket, që e negocion teatrin e ri si një ndërtesë monovolum, pa kulla sipër, dhe që e negocion këtë teatër të ri me çelësa në dorë, me para të privatit, që edhe kushdo shqetësohet pse po harxhojmë për artin kur s’kemi bukë për të ngrënë, që edhe kjo s’është e vërtetë, të mos e ketë këtë shqetësim sepse nuk do të taksohet njeri për këtë propozim”, shtoi Veliaj.

Në emër të komunitetit të artistëve, regjisori Altin Basha përshëndeti këtë hap të parë konsensual, ndërsa tha se bisedimet do të vijojnë edhe më tej për të finalizuar një marrëveshje të plotë.

“Mbeten akoma disa çështje për t’i diskutuar, kemi marrë garanci që ato do të sqarohen në proces e sipër. Shumë shpejt do të kemi një dëgjesë tjetër në formën e një debati për disa çështje të cilat akoma na kanë mbetur të papërfunduara. Mendojmë se në këtë proces kemi gjetur disa pika të cilat kanë qenë të rëndësishme për ne, për të qenë prezent në ligj. Po themi edhe një herë, është një fazë e parë, procesi sapo ka nisur", deklaroi Altin Basha.

Gjithashtu, kryebashkiaku Veliaj tha se pjesë e këtij dakordësimi është edhe përcaktimi që në grupin e punës që do të negociojë për projektin dhe ndërtimin e teatrit të ri, të ketë edhe një përfaqësi të artistëve.

“Kemi sanksionuar në këtë ligj, në dallim nga të gjitha institucionet e tjera që përfaqësohen vetëm me një anëtar, ne do të kemi dy anëtarë që përfaqësojnë komunitetin e artistëve dhe të aktorëve. Duke i pasur të përfaqësuar besoj se ky projekt fillestar u bë më i mirë falë pranisë edhe kritikave të tyre, besoj që edhe produkti final me këto dy vende që presim të na i propozojë komuniteti artistik, që nuk janë vende spaletash as vende luksi, është një punë rigoroze e një shqyrtim dokumentacioni dhe një negociatë e fortë që do të duhet të bëjmë si me arkitektët, ashtu edhe me investitorët, që të arrijmë një produkt po aq dinjitoz sa ky produkt fillestar”, tha Veliaj.

Më herët Veliaj ka shprehur bindjen se sa i takon çështjes së ndërtimit të teatrit të ri, do të triumfojë arsyeja mbi nostalgjinë për t’u siguruar se shqiptarët në 100 vitet e ardhshme do të kenë një teatër të ri dhe modern.

Kryebashkiaku i Tiranës ka deklaruar ndër të tjera në përfundim të projektit për Teatrin e ri, Tirana do të marrë një tjetër çmim për teatrin më të bukur në Bashkimin Europian. /a.y/noa.al