Transmetuar më 23-06-2018, 12:34

Bashkimi Europian është duke shqyrtuar opsionin më të preferuar të tij për azilantët, atë të pritjes së tyre në Shqipëri dhe shpërndarjen më tej në vendet e Unionit.

Për këtë, është duke u trajtuar skema sesi Frontex të realizojë kthimin e vendit tonë në qendër pritjeje kryesore të Europës për azilantët e vendeve në luftë, për periudhën nga mesi i këtij viti e në vazhdim.

Peter Launsky-Tieffenthal, zëdhënës i qeverisë së Austrisë deklaroi zyrtarisht se janë duke u zhvilluar bisedime me Tiranën zyrtare pikërisht për modalitetet e këtij plani evropian.

Skema e preferuar e BE është që azilantët që nisen nga vende si Siria e të tjera, të mblidhen në det nga anijet e Frontex dhe këto t’i transportojnë njerëzit që braktisin atdheun e tyre, në portin e Durrësit.

“Kjo zgjidhje është e preferuar sepse Shqipëria gjendet në një pikë strategjike në Ballkan pasi duke u gjendur edhe në Mesdhe ajo mund të presë azilantët pasi është pikërisht deti Mesdhe ai ku më së shumti ata vijnë”, – thuhet në një raport që publikuan mediat greke duke iu referuar informacionit që citon agjencia e lajmeve Reuters.

“Porti i Durrësit i ka të gjitha mundësitë dhe kapacitetet që të presë numër të madh njerëzish që përpiqen t’i ikin zonave të luftës dhe ndërsa ata përshkojnë Mesdheun me mjete të ndryshme lundrimi, të mblidhen nga anijet e Frontex dhe më pas të dërgohen në portin e Durrësit. Kur të mbërrijnë atje, cilido që nuk i përmbush kriteret e BE për të fituar azil të riatdhesohet kurse të tjerët që kanë shanse për azil të shpërndahen në të gjitha vendet e BE”, – vijon raporti.

Një ndër arsyet pse zgjidhet Shqipëria nuk është vetëm ajo gjeostrategjike, por edhe fakti se vendi ynë nuk është pjesë e zonës “Schengen” dhe për rrjedhojë mund të frenohet depërtimi abuziv i klandestinëve në vendet e BE.

Një tjetër arsye pse zgjidhet dhe preferohet Shqipëria është sepse është vend anëtar i NATO-s dhe vetë Aleanca ka të drejta të plota që të ngrejë dhe menaxhojë qendra kundër terrorizmit në Shqipëri.

Por çfarë fiton Shqipëria nga kjo histori?

Së pari BE do të përballojë të gjitha kostot që do të nevojiten për këtë proces pa afat kohor.

Së dyti, BE do të nxitet të pranojë kërkesën e Shqipërisë që t’i çelen negociatat për anëtarësim.

Së treti të përshpejtohet miratimi i të gjithë kapitujve të procesit të negociatave.

Sakaq, pala shqiptare zyrtarisht nuk po e pranon se ka bisedime mbi këtë çështje.

Ashtu si më 2013 kur negociatat për lëndët kimike mes Shqipërisë dhe SHBA u mbajtën të fshehta dhe zyrtarisht nuk u pranuan, edhe këtë radhë, nëse i besojmë deklaratës së zyrtarit austriak, po ndodh e njëjta skemë. /a.b/noa.al/