Transmetuar më 23-06-2018, 11:52

Deputeti demokrat Oerd Bylykbashi, thotë se shkarkimi i Gentian Trenovës bllokon funksionimin e Këshillit të Emërimeve në Drejtësi sipas vullnetit të Edi Ramës.

Ai thotë se nuk e njeh personalisht prokurorin, por shton se di që ishte një nga prokurorët që në vitin 2010, kur Rama kërkonte bllokimin e liberalizimit të vizave me devizën “hap kutitë ose largohu”, mbrojti akuzën kundër Aldo Bares dhe e çoi në burg.

Sipas Bylykbashit, Trenova është një nga ata prokurorë e gjyqtarë që pas vitit 2005 e deri në vitin 2013 kur qeveriste PD, përplasën pas hekurave kriminelët dhe bandat më të mëdha në vend.

“Por duket që Gentian Trenova pati fatin e keq të ishte prokurori që hetoi një nga skandalet më të mëdha, atë të “serverit të tatimeve” ku u vodhën e u zhdukën miliona të dhëna tatimore për të mbyllur borxhe të qeveritarëve socialistë apo për t’i bërë shantazh bizneseve, një skandal që implikon Ramën e Co, dhe që një ditë do tu kushtojë burgun maskarenjve që e ideuan”, u shpreh Bylykbashi.

Po ashtu shtoi, se Gentian Trenova pati fatin e keq që nuk iu dha shansi të votonte për të quajtur kushtetues ligjin e vetingut apo ndonjë nga ligjet e tjera antikushtetuese të reformës në drejtësi.

Bylykbashi thotë se Gentian Trenova pati edhe një fat tjetër të keq, pasi u përzgjodh me short që të ‎ishte anëtar i një organi kushtetues që ka mbetur “si zombi”: Këshillit të Emërimeve në Drejtësi.

Sipas tij, KED duhet të përzgjedhë kandidatët për Gjykatën Kushtetuese që do shqyrtojë ligjet e Ramës dhe Inspektorin e Lartë të Drejtësisë, atë që do të çojë për ndëshkim disiplinor gjyqtarët dhe prokurorët që do të emërojë Edi Rama pas vetingut.

“KED ka mbetur si një i vdekur i pakallur sepse Ramës nuk i pëlqeu përbërja e KED që doli nga shorti në janar 2018. Ky nuk ishte short i kontrolluar nga filtrat e Xhafës siç ndodhi me shortet e KLGJ dhe KLP ku mjaftonte veç të fusje dorën në kosh sepse ishte e sigurt se sa here ta hapje Kinder Surprizën, gjithmonë Ramën në miniature do të gjeje brenda. Fatmir Xhafaj i kërcënoi anëtarët e KED me hyqëm të Ramës, që të mos bënin asnjë veprim për të mbushur vakancat në Gjykatë Kushtetuese dhe ILD derisa të bëhej vetingu”, tha Bylykbashi.

Ai deklaroi ndër të tjera se ky kërcënim bie ndesh me Kushtetutën që përcakton se KED funksionon dhe kryen detyrën e saj ndërkohë që vetingu kryhet paralelisht, me qëllim që të mos bllokohet ‎ngritja e organeve të drejtësisë duke bllokuar KED derisa të mbarojë vetingu. /a.y/noa.al

Vettingu, prokurori Gentian Trenova shkarkohet nga detyra