Transmetuar më 23-06-2018, 11:35

Ndahet nga jeta në moshën 86-vjeçare, shkrimtari i njohur Loni Papa. Shkrimtari i ndjerë humbi jetën mëngjesin e sotëm si pasojë e komplikimeve shëndetësore, për shkak të moshës.

Loni Papa është dramaturg dhe autor i letërsisë për fëmijë, lëvrues i prozës, poezisë shkrimeve publicistike, rrëfenjës, fabulës etj. Autor i më shumë se 35 veprave letrare të botuara dhe laureat i Çmimit të Republikës e i disa çmimeve kombëtare.

Mban titullin “Qytetar Nderi” i qytetit të tij të lindjes, Lushnje, për kontributin e përkushtimin e tij në letërsinë shqipe.

Loni Papa u lind në Bubullimë të rrethit të Lushnjës më 28 mars 1932, në një familje intelektuale. I ati, Thoma Papa, i diplomuar në Shkollën Normale të Elbasanit, ishte mësues dhe drejtor shkolle në qytetin e Lushnjes.

Mësimet e para i mori në vendlindje dhe shkollën shtatëvjeçare e ndoqi në qytetin e Elbasanit. Arsimin e mesëm e kreu në Shkollën Pedagogjike “17 nëntori” në Tiranë. Studimet e larta i përfundoi në degën Gjuhë e Letërsi Shqipe, në Fakultetin Histori-Filologji në Universitetin e Tiranës.

Veprimtaria e tij letrare nisi në periudhën e shkollës së mesme. Krijimet e tij të para në prozë e poezi i botoi në gazetën “Zëri i Rinisë”, “Letrari i Ri”, “Drita” dhe në revistat “Hosteni” e “Pionieri”. Me mbarimin e shkollës së mesme, në moshë ende të re, u emërua redaktor në gazetën “Zëri Rinisë” ku punoi për tre vjet. Gjatë kësaj periudhe, ai botoi vëllimin e tij te parë në poezi, “Fillo këngën çifteli” (1956). Më pas punoi si mësues i gjuhës dhe letërsisë shqipe në qytetin e Lushnjës. Pas përfundimit të studimeve të larta, rinisi punën si redaktor dhe gazetar në gazetën “Zëri i Rinisë”. Prej vitit 1970, vazhdoi veprimtarinë e tij si shkrimtar në profesion të lirë. Në vitet 1994-2001 ai krijoi dhe drejtoi shtëpinë botuese “Ardita” ku u botuan vepra të tij, të autorëve të tjerë shqiptarë dhe përkthime nga autorë të huaj.

Veprimtaria letrare

Veprimtaria letrare shkrimtarit Loni Papa, është pasqyruar në dramë, romane, novela, rrëfenja, poezi, letërsi për fëmijë dhe është autor i shumë shkrimeve publicistike e letrare.

Gjatë aktivitetit të tij, ai ka lëvruar kryesisht në dy gjini, dramë dhe letersi për fëmijë. Është autor i 13 dramave. Dramat “Cuca e Maleve” dhe “Marga” janë vlerësuar me çmime kombëtare.

Letërsia për fëmijë zë një vend të veçantë në krijimtarinë e shkrimtarit Loni Papa. Ai ka shkruar drama e komedi për fëmijë, novela, skenarë për filma vizatimorë, radiodramatizime dhe një numër të konsiderueshëm rrëfenjash. Ndër veprat e tij më të njohura për fëmijë janë novelat “Gishto trimi”, “Ne gjahtarët e fshatit dhe Lica jonë e dashur” dhe rrëfenjat “Tri motrat” dhe “ Kënga e Mjellmës”.

Drama Cuca e Maleve

Vepra më e njohur e shkrimtarit Loni Papai që i dha emër si dramaturg në letersinë shqiptare, është drama “Cuca e Maleve”.

Tema e kësaj drame, mbështetet në luftën për arsimimin dhe emancipimin e gruas dhe shoqërisë shqiptare në vitet e para pas çlirimit të vendit.

Në vitin 1966, drama “Cuca e Maleve” u vu në skenën e Teatrit “Migjeni” të Shkodrës nga regjisori Mihal Luarasi dhe pas suksesit që ajo pati, në vitin 1967, u soll në skenën e Tearit Popullor nga regjisori Pirro Mani. Drama “Cuca e Maleve” ka fituar Çmimin e Republikës të Shkallës së Dytë, në vitin 1972.

Bazuar në dramën “Cuca e maleve”, në vitin 1970 u krijua nga bashkautorët Loni Papa dhe Agron Aliaj libreti i baletit “Cuca e Maleve”. Ky balet me muzikë nga kompozitori Nikolla Zoraqi, u vu në skenën e Teatrit të Operës dhe Baletit Shqiptar nga koreografi Agron Aliaj.

Drama dhe baleti “Cuca e Maleve” janë shfaqur brenda dhe jashtë Shqipërisë. /a.y/noa.al