Transmetuar më 22-06-2018, 18:31

Kryeministri Edi Rama ishte sot në Himarë ku zhvilloi një bashkëbisedim me banorët vendas në kuadër të turit të “llogaridhënies”.

Edhe në këtë takim, shefi i qeverisë vuri theksin te agroturizmi si mundësi për të gjeneruar të ardhura.

Ai tha se janë plot 11 milionë euro në dispozicion për ata që zhvillojnë projekte për agroturizmin.

“Në çmimin që mori sheshi ‘Skënderbej’ ishin dhe 25 finalistë me projektet e përzgjedhura, i Lungomares dhe i shëtitores së Himarës. Kjo gjë flet për impaktin që këto projekte kanë jo vetëm për komunitetin, por edhe për imazhin e vendit tonë. Kthesa në ekonomi dhe punësim ka nisur. Turizmi është motori kryesor i zhvillimit. Fshatrave të Jugut po u japim atë që u ka munguar, imazhin e bukur. 11 milionë euro në dispozicion për t’u investuar për projekte individuale, familjare apo në grup për agroturizmin”, tha Rama.

Pas fjalës së Ramës, ai dëgjoi edhe shqetësimet e qytetarëve ku nuk munguan as debatet për çështje të ndryshme.

Një qytetar i kujtoi Sali Berishën, dhe Rama iu përgjigj me batutë teksa tha se “Mos na e përmend, se është edhe ditë e premte”.

Pjesë nga diskutimet me qytetarët:

Qytetarja:  Nuk po na jepet e drejta për kullotat për kopenë në Vuno, vetëm ne jemi. Kryebashkiaku Goro: U kemi dhënë përgjigje, nuk keni bërë procedurat e duhura, e kemi parë me kujdes cdo gjë. Rama: Ai po të jep përgjigje, duhet ta dëgjosh. Po i shoh dokumentet, kjo nuk bëhet duke ndërprerë njeri tjetrin, na turpëron edhe Vunoin, na e nxjerr sikur është vendi i njerëzve me 39. Mos na nxirr namin e keq. Të lutem se po e tepron. Mos se do të thonë u zunë Vunjotësit me njëri tjetrin. Ca qengji urtë ti?! Ti paske edhe 300 të tjerë pas…Do të shikojmë mundësinë që ta shpallim edhe gruan heroinë të punës, që të përballon ty.

Qytetarja: Kemi probleme me pronat, na i kanë marrë.

Rama: Lesh arapi, që nuk e merr vesh i pari të dytin. Do të shikojmë letrat dhe në bazë të letrave, kujt i takon do i njihet e drejta.

Qytetarja: Kryetari i bashkisë është vetëm për njerëzit e tij këtu, jo për të drejtuar punën.

Rama: Nëse toka është shpronësuar për interes publik shkruani te faqja, aty me fakte…

Qytetarja: Këtu e ke bërë plazhin, je rritur këtu…

Qytetari: Berisha më tha që Borshi nuk ka dalje në det, mos e bën si Berisha na ndihmoi edhe ne, se të kam njohur që të vogël.

Rama: Mos na e përmend, se është edhe ditë e premte, do të na prishësh muhabetin

(Një qytetare vijonte që të fliste nga vendi)

Rama: Boll se na çmende…/a.m./noa.al/