Transmetuar më 22-06-2018, 17:41

Lufta kundër krimit e korrupsionit, Reforma në Drejtësi, si dhe ajo Zgjedhore, sipas ish-Kryeministrit Sali Berisha janë pengesat për hapjen e negociatave me Shqipërinë, teksa një javë na ndan nga vendimi i Brukselit.

“Gjermania ka vendosur një dekalog kushtesh për hapjen e negociatave me Shqipërinë. Parlamenti holandez me një term ushtarak urdhëron qeverinë e tij që të bllokojë hapjen e negociatave me Shqipërinë. Franca është absolutisht e prerë me qëndrimin e saj, është kundër hapjes së negociatave”, tha Berisha.

Ai shkoi edhe më tej me akuzat kur tha se kryeministri ka marrë ryshfet nga Aldo Bare. Berisha për këtë akuzë përmendi edhe një shifër konkrete.

“Aldo Bare qëroi prokurorin e vet që kërkoi dënim përjetë kundrejt 300 mijë eurove që i çoi Edi Ramës. Në këtë mënyrë Edi Rama ka përkeqësuar kushtet dhe këto mesazhe janë të qarta nga Franca e Holanda. Janë të qarta se me Ramën për herë të tretë bllokohet hapja e negociatave me BE-në’, u shpreh ish-kryeministri Sali Berisha në intervistën për TvKlan.

I prerë është edhe për çështjen e emigrantëve, pas të cilës thonë se fshihen interesa të mafias në trafikun e qenieve njerëzore.

“Shqiptarët nuk mund të pranojnë që të shndërrojnë vendin e tyre në një arenë krimi ndërkombëtar gjigand ku flotiljet e mafias shqiptare prej 300 gjerë në 500 anijesh të shpejta, të fillojnë transportin dhe mbytjen e tyre në det për qëllime pasurimi. Kjo është e vërteta, por unë kam besim se udhëheqësit europianë nuk kanë harruar premtimin e Edi Ramës për armët kimike. Të njëjtin fat do ketë”.

Më së shumti atë e shqetëson marrëveshja e detit me Greqinë, të cilën e sheh si copëtimin e dytë që i bëhet trojeve shqiptare.

“Kjo që po gatuan Edi Rama me ditëzi Bushatin është një copëtim i ri i trojeve shqiptare, e cila mund të ndezë flakët e një konflikti ballkanik po u ec në këtë mënyrë”, vijoi Berisha.