Transmetuar më 22-06-2018, 15:52

Kryetari i grupit të LSI Petrit Vasili ka sulmuar ashpër kryeministrin Edi Rama pas deklaratave që ai dha sot lidhur me çështjen e negociatave me BE.

Vasili e quajti Ramën “Tradhëtar të integrimit dhe gënjeshtar të popullit”.

“Sot kryeministri llafazan dhe i inkriminuar po zbulon armiqtë e brendshëm dhe të jashtëm. Ky frymëzues e mbështetës i krimit të organizuar, një Judë i vërtetë antiintegrim, jo vetëm damkosi Shqipërinë, por edhe e sabotoi me qëllim integrimin në funksion të strategjisë prolindore dhe antieuroatlantike. Ky kryeministër e ka tradhëtuar haptas integrimin pasi u tha europianë se e ka kthyer zverkun nga lindja e Europës dhe nuk i intereson hiç fare ne se i hapin apo jo negociatat se ai ka alternativa të tjera joeuropiane”, shkruan Vasili në rrjetet sociale.

Më tej, ai thotë se shefi i qeverisë ka gënjyer sot lidhur me çështjen e negociatave.

Kur thotë këtë, Vasili i referohet deklaratës së Ramës që tha se të gjitha vendet e tjera që janë në proces negociatash janë me kushte konkrete. “Ja lexojeni vetë ç’ thoshte kryeministri në parlament pak javë më parë, në 3 maj 2018 dhe i drejtohej i ngrefosur opozitës: ‘Ne morëm rekomandimin për hapjen e negociata pa asnjë kusht, një dëftesë që dëshmon se Shqipëria nuk ka lidhje me asgjë nga ato që thonë këta’. Këto thoshte pak javë më parë kryeministri, sot pacipësisht bën sikur harron gënjeshtrat dhe debilitetet, që ka thënë”, shkruan më tej Vasili./a.m./noa.al/