Transmetuar më 22-06-2018, 15:08

Destan Neziri, 75- vjeçari që së bashku me bashkëshorten e tij u sulmuan me thikë barbarisht nga djali i tyre 28- vjeçar, thotë se do ta falë të birin për atë që bëri.

Edhe vëllai i autorit, Fisnik Neziri, shprehet se gjithçka mund të ketë ardhur nga një gjendje depresive, pasi marrëdhënia e tyre në familje nuk kishte shfaqur asnjëherë probleme.

Destan dhe Hasije Neziri tashmë ndodhen jashtë rrezikut për jetën. Në gjendje pak më të rëndë ndodhet 65- vjeçarja. Gjatë një prononcimi për “Panorama”, Destani shprehet se ngjarja ndodhi shumë shpejt. Sipas tij, gjithçka ka ndodhur në gjaknxehtësi e sipër dhe ka qenë nusja e djalit ajo që është përpjekur të ndalte sulmin e ashpër të 28-vjeçarit.

“Ishin duke parë një ndeshje futbolli dhe u bë një gol kur ndodhi ngjarja. Nuk arrita të kuptoj pse nisi të debatonte me nënën e tij. Nuk e vura re, se thashë debate të përhershme mes djalit dhe nënës. Kur papritur pashë që kishte marrë thikën dhe e qëlloi disa herë nënën e tij. Më pas tentova të ndërhyja unë për ta ndalur. Ai më sulmoi edhe mua. Ishte shumë i nxehur dhe nuk dinte çfarë po bënte, por për fatin tonë të mirë ndërhyri nusja, e fejuara e Hajriut, dhe me shumë guxim arriti ta ndalte. Ngelëm të plagosur, por për fat të mirë na solli në spital një nga komshinjtë tanë, që e falënderojmë jashtë mase”, tha Destani, i cili ndodhej i shtruar në repartin e Kirurgjisë.

Ai shtoi se, “Unë nuk e hedh poshtë djalin tim se ai bëri një gabim. Unë jam prind e një prind për fëmijën e ka zemrën të madhe. Kur të shërohemi, së bashku me gruan do e shikojmë djalin”.

Bashkëshortja e tij pritet të dalë të premten nga reanimacioni, ku gjendet që prej mesditës së të mërkurës, kur u qëllua gjashtë herë me thikë nga djali i saj. Krahas mjekëve, çifti Neziraj qëndron nën shoqërinë e fëmijëve të tjerë.

Djali i madh, Fisniku, thotë se nuk e ka kuptuar akoma se çfarë e shtyu vëllanë e tij Hajriun që të sulmonte prindërit me thikë.

“Isha në punë në Tiranë, erdhën të dy, vëllai dhe nusja e tij. I pyeta çfarë kishin, por asnjëri nuk tha asnjë fjalë. Vëllai kishte një të çarë në pëllëmbë të dorës dhe i thashë eja të të çoj në spital. E çova te Trauma për mjekim. As nusja e as ai nuk më thanë gjë. Kuptova se diçka kishte ngjarë në shtëpi me prindërit. Ia lashë një polici që gjendej te spitali, i thashë lajmëro Policinë që të vijë t’i marrë se këta diçka e kanë bërë”, u shpreh Fisnik Neziri, i cili tregon se së bashku me Hajriun ka punuar për gati 5 vjet në të njëjtën firmë private. Më pas Hajriu e la punën dhe gjendej i papunë, tregon ai.

Mirëpo, ndryshe nga babai i plagosur dhe vëllai i tij, vetë autori i ngjarjes ka pohuar në Polici se kishte konflikte me familjarët e tij, të cilët e ngacmonin për faktin se ishte i papunë dhe për lidhjen me vajzën nga Puka.

“Kemi pasur konflikte kohët e fundit. Disa faktorë ndikuan në prishjen e marrëdhënies mes meje dhe prindërve të mi. Së pari, mollë sherri mes nesh ishte bërë fakti që unë isha i papunë dhe mbahesha me të ardhurat që prindërit e mi fitonin nëpërmjet pensionit. Së dyti, është bërë shkas edhe fakti që ata nuk pranonin të fejuarën time si nusen e tyre, e konsideronin të padenjë. Kur po shikonim ndeshjen mes Portugalisë dhe Marokut, nisa të grindesha me nënën time fillimisht. Në gjaknxehtësi e sipër e qëllova disa herë me thikë. Ndërkohë u afrua edhe babai, të cilin e qëllova dy herë dhe më pas u largova nga shtëpia. Jam penduar shumë për këtë veprim fatal”, deklaroi autori i ngjarjes për Policinë.

Djali masakroi prindërit me thikë, babai: E kam falur, ja si ndodhi ngjarja

Plagosi me thikë prindërit, i riu: Jam penduar, por s’më pranonin nusen

Detajet, i riu masakroi prindërit me thikë pasi nuk i pranuan të dashurën

Plagosi me thikë prindërit, djali vetëdorëzohet në polici

U masakruan me thikë nga djali i tyre, kush janë prindërit e të riut

Djali godet me thikë prindërit, nëna dhe babai po luftojnë me vdekjen