Transmetuar më 22-06-2018, 11:20

Komisioni i Pavarur i Kualifikimit ka nisur ditën e sotme një seancë dëgjimore, me gjyqtaren e Gjykatës së Apelit Vlorë, Brikena Ukperaj (Lubonja).

Gjyqtarja po i nënshtrohet procesit të vettingut, për të verifikuar pastërtinë e figurës së saj, ndërsa është edhe kandidate për Këshillin e Emërimeve në Drejtësi.

Trupa e KPK që po merret me verifikimin e gjyqtares, përbëhet nga Valbona Sanxhaktari, Xhensila Pine dhe Etleda Çiftja.

Pasuria që ka deklaruar

Gjyqtarja Ukperaj zotëronte rreth 247 mijë lekë pasuri përpara fillimit të detyrës në vitin 2006. Në fund të vitit 2016, pasuria familjare e saj kap vlerën e 7.7 milionë lekëve ku pjesën kryesore të rritjes e përbën blerja e një apartamenti.

Në vitin 2012, gjyqtarja ka blerë një apartament në Selitë të Tiranës me vlerë 44 877 euro. Burimi i kësaj pasurie është një kredi bankare prej 5 milionë lekësh si dhe 9 mijë euro hua të marrë nga prindërit, shumë e cila rezulton e pashlyer deri në fund të vitit 2016.

Paralelisht me apartamentin, gjyqtarja e Apelit zotëron likujditete në bankë në vlerën e rreth 400 mijë lekëve si dhe pasuri të luajtshme në rreth 1 milion lekë.

Të ardhurat familjare të gjyqtares për periudhën deklaruese kapin vlerën e 13.7 milionë lekëve, ku pjesa dërrmuese përbëhet nga paga e saj dhe e bashkëshortit. /a.y/noa.al