Transmetuar më 21-06-2018, 09:14

Prej dy ditësh Presidenti Ilir Meta ndodhet në një vizitë zyrtare në Hungari, ku po zhvillon takime me gjithë krerët e shtetit.

Takimin e fundit Meta e ka patur me Kryeministrin e Hungarisë, Viktor Orban.

Meta është shprehur i mbresuar nga mbështetja e fuqishme që ka marrë prej tij, për çeljen e negociatave me Bashkimin Europian.

“I nderuar të takoja dhe të diskutoja me kryeministrin hungarez, mikun tim dhe të shqiptarëve, Viktor Orban. I impresionuar nga mbështetja e tij e fortë për çeljen e negociatave të anëtarësimit në BE të Shqipërisë. Partnerë në NATO dhe partnerë të ardhshëm në BE. Të dëshiruar ta shohim në Tiranë gjatë Vitit të Skënderbeut”, shprehet Meta.

Presidenti i shprehu mirënjohjen Kryeministrit Orban për mbështetjen domethënëse e pa rezerva që ai i ka dhënë Shqipërisë për çeljen e negociatave të anëtarësimit në BE.

Duke vlerësuar angazhimin e Qeverisë së Orban për të nxitur marrëdhëniet ekonomike e tregtare midis dy vendeve, Presidenti Meta, nënvizoi vullnetin e gatishmërinë e palës shqiptare për t’i ngritur këto marrëdhënie në nivelin e shkëlqyer të marrëdhënieve politike.

Edhe në takimin me Kryeministrin Orban, Presidenti Meta, shprehu besimin se rivendosja e linjës direkte ajrore midis kryeqyteteve të të dy vendeve dhe hapja e Dhomës së Tregtisë së Hungarisë në Tiranë do të bëjnë që ky bashkëpunim të rritet ndjeshëm dhe që pas katër viteve Shqipëria dhe Hungaria ta festojnë 100-vjetorin e vendosjes së marrëdhënieve diplomatike me rezultate konkrete e domethënëse.

Ndërsa, duke iu referuar partneritetit aktual në NATO dhe partneritetit të ardhshëm në BE, të dy bashkëbiseduesit u ndalën edhe në sfidat me të cilat përballen të dy vendet. Çështjet e emigracionit të paligjshëm dhe influencës së aktorëve të tretë në rajonin e Ballkanit Perëndimor u bënë pjesë e bisedës midis Presidentit Meta dhe Kryeministrit Orban.

Kryeministri Orban e siguroi Presidentin Meta për mbështetjen e vazhdueshme të Qeverisë së tij për Shqipërinë dhe shqiptarët si dhe forcimin e mëtejshëm të miqësisë historike midis dy popujve.

Kryeministri Orban shprehu gatishmërinë për të nxitur investimet hungareze në të gjitha drejtimet ku Shqipëria shpreh interes. /a.y/noa.al