Transmetuar më 21-06-2018, 08:49

Kryeministri Edi Rama e ka nisur ditën e sotme, duke nxjerrë pamjet nga projekti për transformimin e zonës së liqenit të Shkodrës.

Kreu i qeverisë bën me dije se projekti do të përfundojë brenda 18 muajsh.

“Me këtë projekt që brenda 18 muajsh, do të transformojë bregun perëndimor të liqenit të Shkodrës nga një krah i paralizuar e i degraduar prej dekadash, në një tjetër perlë turistike të Shqipërisë, ju uroj një ditë të bukur”, shkruan Rama.

Në video shihet projekti për rrugën Shkodër-Shirokë, korsitë për këmbësorët dhe biçikletat si dhe parkime të reja 1700 m2.

Po ashtu jepen pamjet e muzeut të liqenit dhe qendrës së vizitorëve, një ndërtesë shumëfunksionale me hapësirë për ekspozita të përhershme dhe të përkohshme.

Projekti parashikon edhe platformë për varka dhe kajakë si dhe tarracë panoramike. /a.y/noa.al