Transmetuar më 20-06-2018, 13:33

Kreu i grupit parlamentar i Lëvizjes Socialiste për Integrim, Petrit Vasili, reagon ndaj Ministrisë së Punës së Brendshme, e cila mohoi mesditën e sotme që në Shqipëri të ngrihet një kamp për refugjatët.

“Shtet halabak. Ministria e Brendshme përkthen zv.ministrin e saj nga shqipja në shqip. Shtet më halabak nga ky s’mund të gjendet në faqe të dheut. Ministria e Brendshme përkthen zv.ministrin nga shqipja në shqip”, shprehet Vasili.

Ai ironizon duke thënë se tani sa herë që do të shihen në TV deklarata të “këtyre” të qeverisë dhe Kryeministrit, duhet që me titra poshtë të japin dhe përkthimin nga shqipja në shqip.

“Pse nuk e qepin gojën xhanëm. Sa më shumë gënjejnë aq më shumë vërtetojnë poshtërsirat e tyre ne kurriz të popullit dhe të Shqipërisë”, thuhet në mbyllje të qëndrimit të Petrit Vasili.

Kamp për refugjatët, MPB: As na është kërkuar dhe as është ofruar një gjë e tillë

Ministria e Punëve të Brendshme, doli sot me deklaratë sqaruese nisur nga jehona mediatike e një kronike televizive të rrjetit gjerman ‘ZDF’, e transmetuar këtë të martë, sa i takon ngritjes së një kampi për refugjatët në Shqipëri.

MPB thotë se me qëllim evitimin e spekulimeve dhe keqpërdorimeve të përmbajtjes së kësaj kronike, është e nevojshme të sqarohet se ndërtimi i kampeve për imigrantë nuk është një çështje në shqyrtim apo në diskutim.

Deklarohet se askush nuk e ka kërkuar deri më sot dhe askush nuk e ka ofruar një gjë të tillë.

Po ashtu saktësohet se thëniet e zv.ministrit Julian Hodaj, të cituara në kronikë janë përgjigjja e një pyetje konkrete:

“Çfarë mund të bënte Shqipëria në kushtet e një emergjence imigrantësh?”

Përgjigjja e kësaj pyetjeje është ajo që citohet: “Shqipëria e ka treguar gjatë luftës së Kosovës se është në gjendje të përballojë këto emergjenca”.

Në këtë linjë MPB shton se, përgjigjja lidhet me një situatë hipotetike emergjence, si ajo gjatë luftës së Kosovës ku pati një angazhim shtetëror e popullor, dhe jo mbi një diskutim nëse një kamp mund të ndërtohet ose jo në Shqipëri.

Më herët kreu i grupit parlamentar i Lëvizjes Socialiste për Integrim, Petrit Vasili, tha se Kryeministri Edi Rama gënjeu për refugjatët, pasi ka pranuar të marrë 600 mijë.

Madje ai deklaroi se zv.ministri i Brendshëm Julian Hodaj deklaroi për ‘ZDF’ gjermane një nga mediat më të rëndësishme dhe të mëdha të Gjermanisë: “që kanë kapacitet dhe eksperience për deri në 600.000 azilantë nga Siria”. /a.y/noa.al

Kamp për refugjatët në Shqipëri, MPB: As na është kërkuar dhe as e kemi ofruar

LSI: Rama gënjeu për refugjatët, ka pranuar të marrë 600 mijë