Transmetuar më 20-06-2018, 13:08

Ministria e Punëve të Brendshme, del me deklaratë sqaruese nisur nga jehona mediatike e një kronike televizive të rrjetit gjerman ‘ZDF’, e transmetuar këtë të martë, sa i takon ngritjes së një kampi për refugjatët në Shqipëri.

MPB thotë se me qëllim evitimin e spekulimeve dhe keqpërdorimeve të përmbajtjes së kësaj kronike, është e nevojshme të sqarohet se ndërtimi i kampeve për imigrantë nuk është një çështje në shqyrtim apo në diskutim.

Deklarohet se askush nuk e ka kërkuar deri më sot dhe askush nuk e ka ofruar një gjë të tillë.

Po ashtu saktësohet se thëniet e zv.ministrit Julian Hodaj, të cituara në kronikë janë përgjigjja e një pyetje konkrete:

“Çfarë mund të bënte Shqipëria në kushtet e një emergjence imigrantësh?”

Përgjigjja e kësaj pyetjeje është ajo që citohet: “Shqipëria e ka treguar gjatë luftës së Kosovës se është në gjendje të përballojë këto emergjenca”.

Në këtë linjë MPB shton se, përgjigjja lidhet me një situatë hipotetike emergjence, si ajo gjatë luftës së Kosovës ku pati një angazhim shtetëror e popullor, dhe jo mbi një diskutim nëse një kamp mund të ndërtohet ose jo në Shqipëri.

Më herët kreu i grupit parlamentar i Lëvizjes Socialiste për Integrim, Petrit Vasili, tha se Kryeministri Edi Rama gënjeu për refugjatët, pasi ka pranuar të marrë 600 mijë.

Madje ai deklaroi se zv.ministri i Brendshëm Julian Hodaj deklaroi për ‘ZDF’ gjermane një nga mediat më të rëndësishme dhe të mëdha të Gjermanisë: “që kanë kapacitet dhe eksperience për deri në 600.000 azilantë nga Siria”. /a.y/noa.al

LSI: Rama gënjeu për refugjatët, ka pranuar të marrë 600 mijë