Transmetuar më 20-06-2018, 12:41

Prokuroria e Tiranës, ka dhënë pretencën ndaj deputetit Tom Doshi, ish-deputetit Mark Frroku dhe të pandehurit tjetër, Durim Bami.

Në seancën e mbajtur ditën e sotme në Gjykatën e Tiranës, organi i akuzës ka kërkuar dënimin me nga 8 muaj burg për Doshin, Frrokun dhe Bamin.

Procesi gjyqësor ndaj tyre po mbahet me procedurë të shkurtuar, lidhur me çështjen ndaj deputetit Tom Doshi, ish-deputetit Mark Frroku dhe të dyshuarit si vrasës me pagesë, Durim Bami, të cilët akuzohen për kallëzim të rremë në bashkëpunim.

Prokuroria ka dyshime se të pandehurit kanë krijuar prova të rrema, me synim nisjen e një hetimi penal ndaj kryetarit të Kuvendit, asokohe Ilir Meta, i cili akuzohej se kishte porositur eliminimi fizik të Tom Doshit dhe ish-deputetit të PD, Mhill Fufi.

Për këtë plan, Doshi deklaroi se e kishte mësuar nga miku i tij Mark Frroku, ndërkohë që nga hetimet, organi i akuzës doli në përfundimin se gjithçka ishte sajesë.

Por ndërsa çështja kaloi në Gjykatën e Lartë, Kushtetuese dhe tek Krimet e Rënda, dosja është rikthyer sërish në Gjykatën e Tiranës. Pala mbrojtëse pritet të japë argumentet e saj në seancën e 4 korrikut, për të dalë më tej me vendim.

Deputeti Doshi publikoi përmes mediave një intervistë të kryer nga ai vetë me Durim Bamin, i cili pretendonte se ishte porositur për të eliminuar fizikisht Doshin dhe ish-deputetin e PD-së, Mhill Fufin.

Intervista e realizuar në banesën e deputetit shkaktoi shumë trazira politike, por për organin e akuzës gjithçka ishte e rreme dhe tashmë, si Durim Bami ashtu edhe Tom Doshi janë nën akuzë për kallëzim të rremë. /a.y/noa.al