Transmetuar më 20-06-2018, 12:33

Edhe sot komisioni i Ekonomisë ka pasur debate të ashpra mes përfaqësuesve të mazhorancës dhe opozitës.

Gjatë mbledhjes me dyer të mbyllura, nënkryetarja Jorida Tabaku tha se opozita ka dërguar në prokurori 12 dosje për aferat e qeverisë së Edi Ramës.

 “Janë 11 persona që marrin çdo tender publik në Republikën e Shqipërisë. 1 në 3 tendera jepet pa garë. Janë 4 perona që marrin çdo koncesion në Republikën e Shqipërisë. Kemi një kompani fantazëm të ngritur për “Air Albania”, 3.2 miliard euro dëm ekonomik”, tha zonja Tabaku, duke iu referuar shifrave të publikuara nga vetë qeveria.

Sot nuk ka një Gjykatë Kushtetuese ku mund t’i drejtohesh për shkeljen e ligjit. Reforma në Drejtësi ishte thjesht fllucka e rradhës ashtu siç ka qenë reforma territoriale e cila ka mbi 60 milionë euro shpenzime shtesë. Reforma në sistemin energjetik, që përfundon me rritjen e çmimit të energjisë me 24% për 75% të familjeve shqiptare. Reformë në Arsim që sot ka varfëruar xhepat e shqiptarëve që sot ka shkatërruar universitetet publike dhe fajtore kryesore përse të rinjtë po largohen”, tha Tabaku.

Sipas saj krimi i organizuar, lufta ndaj drogës, korrupsioni, dorëheqja e Ministrit të Brendshëm, janë çështje të cilat qeveria nuk i shqyrton madje edhe pak ditë përpara vendimit për çeljen e negociatave.