Transmetuar më 18-06-2018, 07:51

Këtë të diel u përhap me shpejtësi lajmi se dy deputetet e Partisë për Drejtësi, Integrim dhe Unitet, Reme Lala dhe Elena Xhina, u bashkuan me Partinë Socialiste.

Gjithçka pasi Lala, deputete e Dibrës, duke folur në një aktivitet ku ishte i pranishëm Kryeministri Edi Rama, me rastin e çeljes së punimeve të Rrugës së Arbrit njoftoi bashkimin me grupin parlamentar të PS.

Por gjithashtu në këtë aktivitet u bë me dije se edhe deputetja e PDIU, e Elbasanit, Elena Xhina, bashkohet me PS.

Pas këtyre zërave, ka reaguar vetë deputetja e Elbasanit, Elena Xhina.

Ajo bën me dije se nuk ka bërë asnjë lëvizje dhe se vijon të jetë aty ku ka qenë.

“Meqenëse mediat vazhdojnë të pasqyrojnë gjerësisht lajmin se unë kam kaluar në grupin parlamentar të PS, më duhet të sqaroj edhe një herë se nuk kam bërë asnjë lëvizje të pozicionit politik dhe jam aty ku kam qenë. Diçka të tillë e kam sqaruar edhe me anë të statusit të mëparshëm, gjithsesi për mua është e rëndësishme që situata ime politike të jetë e kuptuar qartë nga votuesit e mi të Elbasanit, të cilët janë interesi im i vërtetë!”, shprehet Xhina. /a.y/noa.al