Transmetuar më 18-06-2018, 07:38

Një krim tronditës në familje, u shënua mëngjesin e kësaj të diele në tregun e Milotit, ku Violeta Donaj 35 vjeçe, i mori jetën babait të dy fëmijëve të saj, Kujtim Donaj 42 vjeç.

Ndërsa Kujtimi kishte vetëm pak që kishte shkuar në treg, ku po hapte rrobat e përdorura që shisnin, pak më vonë ka shkuar dhe e shoqja me një makinë private, e shoqëruar nga kunata e saj.

Pasi kanë debatuar me fjalë, 35-vjeçarja ka qëlluar katër herë me pistoletë drejt të shoqit, çka ka bërë që ai të gjejë vdekjen e menjëhershme.

Më tej gruaja ka tentuar që të largohet me makinën e saj, por është ndaluar pak minuta më vonë nga policia.

Gjatë marrjes në pyetje, Violeta ka treguar se me të shoqin ka pasur probleme të vazhdueshme dhe se prej kohësh nuk ishin më të qetë.

“Më tradhtonte prej kohësh, prishte lekët për bixhoz. Ma kishte bërë jetën të pamundur”, ka thënë Violeta para hetuesve, mes lotësh.

Por ajo ka shprehur pendesë për krimin e kryer, duke thënë se mori më qafë veten dhe dy fëmijët e tyre. /a.y/noa.al