Transmetuar më 17-06-2018, 18:19

Anxhela Meçani mbylli sytë një herë e përgjithmonë, ndërsa familjarët e saj janë ende të shokuar nga lajmi i kobshëm që kanë marrë. Edhe pse në një ditë feste për të gjithë besimtarët myslimanë, emisioni “Me zemër të hapur” në News24 foli për këtë ngjarje të rëndë për t’i dhënë sadopak ndihmë familjes se 20-vjecares nga Fieri, që nuk kanë mundësi të tërheqin trupin e vajzës.

Babai i saj, Dritan Meçani thotë se ajo është larguar nga shtëpia me një djalë dhe më pas nuk është kthyer më asnjëherë.

Nuk ka mundur dot të kthehet në shtëpi edhe ditën kur nëna e saj u largua nga jeta, rreth 6 muaj më parë.

Dritan Meçani thotë se vajza ishte martuar me një shtetas italian, por nuk kishte dokumente që të mund të lëvizte lirisht. Pas lajmit tronditës në televizion dhe internet familja kërkon ndihmë që trupi të vijë në Shqipëri dhe të mund të shohin për herë të fundit bijën e tyre.

I pyetur nëse familja ka pasur dijeni se Anxhela ka qenë e martuar me një shtetas italian, babai i saj thotë se e dinin që kishte lidhur kurorë me një shtetas të madh në moshë.

“Po e dinim, po nuk kishim pasur kontakt. Anxhela na ka thënë vetë. Në janar pasi më vdiq gruaja, vajza nuk erdhi dot se nuk kishte bërë dokumentet. E më tha që do bënte kurorëzimin. E di që ishte i madh në moshë.

Por nuk e dinim që ishte ndarë. Vajza një ditë para vrasjes më mori në telefon se tezja kishte sjellë disa gjëra në Gjirokastër por nuk dallova asgjë në zërin e saj”, rrëfen babai i Anxhelës.

Ai thotë se nuk di me kë të komunikojë që të tërheqë trupin e vajzës që siç thotë ai ta shohin për herë të fundit dhe ta përcjellin në banesën e fundit. Por gjatë emisionit, një kompani funeralesh në Durrës ka ofruar ndihmën e saj për të tërhequr trupin e vajzës dhe për ta sjellë në atdhe për t’u varrosur në Fier, në fshatin Baltëz pranë familjarëve.