Transmetuar më 17-06-2018, 15:12

Kryetari i Partisë për Drejtësi, Integrim dhe Unitet, Shpëtim Idrizi, reagon lidhur me largimin e dy deputetëve të dala në radhët e partisë së tij.

Ditën e sotme, Reme Lala dhe Elena Xhina, njoftuan bashkimin me grupin parlamentar të Partisë Socialiste.

Idrizi nuk e quan aspak lajm të ri, por thotë se bëhet fjalë për individë që thjeshtë kanë qenë kandidatë të PDIU.

“Lajmet e vjetra që sot shiten si të reja, për individë që kanë qenë thjesht kandidatë të PDIU-së, sepse janë deklaruar me PS-në qysh në përfundim të zgjedhjeve, nuk sjellin asnjë ndryshim në veprimtarinë tonë politike për zgjidhjen e çështjes çame. Çështja çame na bashkon dhe na ndan me këdo, si një kauzë jo vetëm e jona, po e çdo shqiptari brenda dhe jashtë kufijve”, thuhet në qëndrimin e Idrizit.

Paraditen e sotme duke folur sot nga Dibra, ku nisi puna për ndërtimin e Rrugës së Arbrit, Reme Lala tha se i bashkohet Partisë Socialiste.

“Unë dua të bashkohem me më të mirët, me Olta Xhaçkën dhe Lindita Nikollën. Dua të bashkohem me PS, se nuk jemi më të mirët, por më të mirë nuk kemi parë”, tha Reme Lala para dibranëve.

Lala tha se Rruga e Arbrit ka qenë gjithmonë premtim i përsëritur.

Ndërkohë ajo shtoi: “Faleminderit Edi Rama që ma shpëtove mandatin e deputetes, duke mbajtur premtimin për Rrugën e Arbrit. I shpëtove nderin politikës, qeverisë dhe vetes”.

Por gjithashtu ajo bëri me dije se edhe deputetja e PDIU, e Elbasanit, Elena Xhina, bashkohet me PS. /a.y/noa.al