Transmetuar më 17-06-2018, 11:35

Kryeministri Edi Rama thotë se e ardhmja e vendit varet nga bashkimi i shqiptarëve.

Duke folur nga Dibra, ku mesditën e sotme nis puna për ndërtimin e Rrugës së Arbrit, kreu i qeverisë tha se, se Rruga e Arbrit nuk do të jetë më një iluzion.

Ai tha se nga sot Dibra nis rrugën, për tu bërë një copë kraharor që merr jetë dhe zhvillim në Shqipëri dhe për Shqipërinë.

“Rruga e Arbrit është një çështje drejtësie e historisë dhe njerëzore, ndaj këtij populli të kyçur në izolim, prej kaq shumë dekadash. Detyrë që shteti shqiptar ka për detyrë ta garantojë një herë e përgjithmonë”, u shpreh Rama.

Në vijim shtoi se, Dibrën zuzarët dhe dallkaukët, kanë dashur ta shohin si jashtë kufijve të Republikës, por shtoi se Zoti e ka pajisur natyrën me gjashtë pika të ndryshme, që lejojnë komunikimin mes trevave.

Sipas tij, Rruga e Arbrit do të nisë rrugën e karvanëve, që kanë lidhur historikisht Dibrën me Tiranën.

Rama tha se Rruga e Arbrit, ka qenë gjithë kohës një çështje bajate premtim-zhgënjimesh.

“E gjithë kakofonia që ka përfshirë shpërdorimet e qeverive paraardhëse ka qenë një premtim-zhgënjim dhe i vetmi realitet ka qenë një abuzim. Rruga e Arbrit ka qenë veç koria që ka fshehur makutërinë e zhvatjes”, tha Rama.

Lidhur me ata që pyesin se pse zgjati kaq shumë ky projekt, ai tha se kur u mor mandati u paguan pesë kontrata për të hapur rrugën e Dibrës si skemë për daulle dhe shirita, edhe pse rruga nuk dukej askund.

Po ashtu shtoi se qeveritë e kaluara nuk bënë kurrë rrugë, por copa rrugësh dhe se u shkelën kontratat me këmbë.

“Sapo fitova bastin me Olta Xhaçkën, që sa po të flasë unë do nisë shiu dhe kjo është bereqet”, deklaroi Rama.

Nga ana e tij ministri i Infrastrukturës dhe Energjetikës, Damian Gjiknuri bëri me dije se rruga Dibër-Tiranë shkurtohet me 69 km, ku parashikohen 6 tunelë dhe 4 ura, si dhe një tunel për raste emergjence.

Ministri bëri me dije se rruga do të përfundojë para zgjedhjeve të përgjithshme të vitit 2021. /a.y/noa.al