Transmetuar më 17-06-2018, 09:25

Gjithçka nisi pas një debati me fjalë, u zunë keq dhe në një moment gruaja rrëmbeu pistoletën dhe vrau të shoqin.

Është kjo ajo që ndodhi rreth orës 07.10 të mëngjesit të sotëm në tregun e Milotit, ku gruaja vrau me armë zjarri të shoqin.

Violeta Donaj 35 vjeçe, i mori jetën për motive ende të paqarta babait të dy fëmijëve të saj, Kujtim Donaj, 42 vjeç, banues në Rrëshen.

Çifti Donaj nga Rrësheni punonin si tregtar në tregun e gjësë së gjallë të Milotit, ku shiten edhe rroba të përdorura, ndërsa nuk dihet se çfarë nxehu gjakrat mes dy bashkëshortëve dhe aq më tepër se si e siguroi pistoletën gruaja.

Por mësohet se përveç tregtarëve të pranishëm, skena e krimit është parë edhe nga kunata e të dyshuarës, e cila ka qenë në vendin e ngjarjes.

Menjëherë pas ngjarjes, Violeta Donaj, ka tentuar të largohet nga vendi i krimit, por është kapur nga policia.

Aktualisht 35-vjeçarja po merret në pyetje dhe krahas saj edhe dëshmitarët që panë skenën e krimit. /a.y/noa.al