Transmetuar më 16-06-2018, 17:17

Sabien Lilaj është zyrtarizuar te klubi i FK Qabala në Azerbajxhan, ku ka firmosur sot kontratë 1+1 vjeçare, nga e cila mendohet se do të përfitojë gjysmë milioni euro. Në faqen e klubit të ri të mesfushorit të Skënderbeut dhe kombëtares kuqezi është bërë ky njoftim, me këtë rast:

“Qabala, e cila është duke u përgatitur për sezonin 2018-2019, ka bërë transferimin e parë në merkaton verore. Sipas Supersport, lojtari i kombëtares shqiptare të futbollit, Sabien Lilaj, është bashkuar me skuadrën. Është nënshkruar një kontratë 1+1 vjeçare me mesfushorin 29-vjeçar.

Duke e filluar karrierën e tij në Tiranë, Lilaj e bëri debutimin në këtë ekip dhe luajti aty në periudhën 2008-2011.

Në sezonin 2011-2012, Sabien, një legjionar që luante në Kroaci, mbante uniformën e Lokomotivës së Zagrebit.

Ai luajti te Skënderbeu nga viti 2012 deri në vitin 2018. Sabien e ka fituar gjashtë herë titullin e kampionëve të vendit.

Ai është zgjedhur futbollisti i vitit 2015 dhe 2017. Lilaj, pjesë e ekipit kombëtar U-20 dhe U-21 të Shqipërisë, e bëri debutimin në kombëtaren e vendit të tij më 2011. Mesfushori ka luajtur 16 ndeshje në këtë ekip”.