Transmetuar më 16-06-2018, 11:50

Partia Demokratike ka reaguar sërish lidhur me atë që e quan skandali i kompanisë “Air Albania”. Sipas PD, në kompaninë në bashkëpronësi me shtetin është përfshirë edhe Sinan Idrizi, një mik i kryeministrit Rama nga Vlora.

“Një farë Sinan Idrizi, që thotë se është biznesmen i madh, pa pasur ndonjë biznes që mund ta tregojë, i ka dhënë dje borxh Edi Ramës emrin e tij për të lëshuar banalitete prej të forti ne adresë të Partisë Demokratike”, deklaroi deputeti i PD Enkeleid Alibeaj.

Ai tha më tej se Rama ka kërcënuar opozitën me burg vetëm sepse ajo ka denoncuar një aferë korruptive.

“E vërteta është se kompania e Sinan Idrizit u krijua me një fond qesharak vetëm 9 ditë para vendimit të firmosur nga Edi Rama që e bëri Sinan Idrizin pronar në një biznes të përbashkët me qeverinë, siç është biznesi multimilioner i kompanisë ajrore Air Albania”, vijoi Alibeaj.

Deputeti i PD ngre dyshime edhe për të shkuarën e biznesmenit nga Vlora, Idrizi. Në deklaratën nga selia blu Alibeaj ngre disa pikëpyetje.

“Me çfarë është marrë në të shkuarën Idrizi dhe prej nga burojnë paratë e tij?

Si vendosi Edi Rama për aksionet që do të marrë Idrizi tek Air Albania?

Sa para do të investojë shteti në Air Albania?

A po investohen tek Air Albania dhe tek Aeroporti i Vlorës para të pista të familjes Rama dhe të ndonjë fondacioni të huaj?”, thotë deputeti Alibeaj nga selia blu./a.m./noa.al/