Transmetuar më 16-06-2018, 10:52

Një tjetër Habilaj vendoset në qendër të vëmendjes së mediave të huaja. Edhe ai është nga Vlora por nuk ka lidhje me vëllezërit e grupit të trafikut të drogës në Itali.

Edhe ky ka hesape me drejtësinë por me atë britanike e cila e ka shpallur në kërkim për “mashtrim”.

Shqiptari Elidon Habilaj kishte shkuar në Britani në kohën e luftës në Kosovës dhe ishte paraqitur si shtetas kosovar. Ai kishte siguruar dokumentet e qëndrimit përmes mashtrimit dhe pasi fitoi lejen e qëndrimit, ai u punësua në një agjenci të ngjashme me FBI-në amerikane.

Detyra e tij ishte gjurmimi i personave në kërkim ndërkombëtar. Sipas “Daily Mail”, ai mblidhte të dhëna për personat në kërkim në favor të “Scotland Yard”.

Por gjatë punës ai bëri një gabim të rëndë. Habilaj kërkoi në sistemin kompjuterik të dhëna me emrin e vërtetë të tij, duke lënë gjurmë.

Në këtë mënyrë u zbulua mashtrimi i tij dhe shqiptari u dënua me 18 muaj burg. por ai u arratis nga Britania sapo mori vesh se ishte në hetim.

Prej gjashtë vitesh ai është në kërkim nga drejtësia britanike. Atë që nuk e ka bërë dot policia e bënë gazetarët e “Daily Mail” të cilët udhëtuan në Shqipëri dhe e gjetën atë në Vlorë.

Kur gazetarët ishin përballë tij, në një resort turistik luksoz, ai u është drejtuar: “Kush ju ka dërguar ju? Kush ju solli tek unë"? 

Pas këtyre fjalëve Habilaj urdhëroi njërin prej punonjësve t’i largonin gazetarët nga aty./a.m./noa.al/