Transmetuar më 15-06-2018, 20:25

Nga Artan Fuga

Godina e teatrit kombëtar simbolizon materialisht dhe në përmasa reale historinë dhe trashëgimin e teatrit shqiptar që bashkë me gjuhën, median e shkruar, pra edhe teatri kanë mbajtur gjallë kombin gjatë shekullit të XX.

Kush vendos dorën e vet shkatërrimtare mbi këtë ndërtesë është njësoj sikur ka vendosur minat te monumenti Nëna Shqipëri!

Pikë!

Kaq është! Do të ishte vërtet mbinjeri ai që do ta kishte këtë guxim.

Po të mos ishte kaq serioze do të kisha pasur qef të thërrisja :

Lëreni, a do të ketë ndokush mbifuqinë të vejë dorë mbi të? A ka një njeri të tillë Shqipëria?

Ata që e pranojnë shkatërrimin e ndërtesës janë ballabana!

Ajo godinë duhet restauruar deri te wc e fundit.

A duhet një godinë e teatri?

Jo një, sepse ky është koncept tej e tej monist, por duhen disa ndërtesa teatrosh në Tiranë. Cdo rajon teatrin e vet.

Pra nuk ka lidhje ndërtimi i ndertesave të reja me shkatërrimin e shkallmimin e ndërtesës të teatrit të vjetër.

Ajo zonë duhet zhvilluar? Sigurisht!

Cfarë është zhvillimi? Të restaurosh një monument kulture, themel i kombit, apo të ndërtosh kulla dhe hedhur beton, hekur dhe qelq mbi asfalt?

Tulla e llaç?

Po.

Sepse historia e shkruar vetëm në materie ruhet.

Dramat janë rregjistruar në media, kurse fjalët e thëna në skenë nuk ekzistojnë më.

Aktorët bëjnë shumë mirë që rrezistojnë. Por, edhe poqese aktorët bien dakord për ta prishur ndërtesën e teatrit, ata bëhen menjëherë ballabanë, dhe mbi të gjitha ata kanë të drejtë të thonë "jo" sepse po thanë "po" – kjo fjalë aprovuese nuk ka asnjë vlerë, sepse teatrin kanë detyrë ta mbrojnë, por nuk kanë të drejtë ta shesin!

Ndërtesa nuk është pronë e aktorëve, u është dhënë nga kombi për përdorim, ta ruajnë, zhvillojnë dhe mbrojnë!

Ai është i historisë kombëtare!

Qëndrimet e autorit janë personale, nuk paraqesin vijën editoriale të NOA.al