Transmetuar më 15-06-2018, 11:00

Një person i shpallur në kërkim për vrasje, është arrestuar nga policia e Mallakastrës.

Kadri Rustemi, 79 vjeç, banues në Lavdan, Mallakastër, u vu në prangat e policisë këtë të enjte.

Arrestimi i tij u bë pasi është shpallur në kërkim, i dënuar me 25 vite burgim për veprën penale “Vrasje”.

Pas marrjes së informacionit në rrugë operative dhe punës së mirëorganizuar nga shërbimet e policisë Mallakastër u bë e mundur lokalizimi, kapja dhe ndalimi i tij.

Rustemi në 26 dhjetor 1996 është dënuar me 25 vjet burgim për veprat penale “Vrasje me dashje” dhe “Vrasje me dashje e mbetur në tentativë”.

Kadri Rustemi akuzohet se në 26 korrik 1991 ka vrarë me armë gjahu fqinjin e tij Xh.H., dhe ka tentuar të vrasë shtetasin A.H., banues në Mallakastër. Gjithçka pas një sherri për një gardh që ndante dy shtëpitë e tyre.

Që nga momenti i krimit ai kishte humbur gjurmët, ndërsa dyshohej se hynte e dilte ilegalisht drejt Greqisë.

Në ngarkim të tij materialet iu referuan Prokurorisë së Fierit për veprime të mëtejshme. /a.y/noa.al