Transmetuar më 15-06-2018, 09:55

Gjëja e parë që vinin re punonjësit dhe klientët e bankës ishte mosha, por edhe eleganca e veshjes dhe mënyra elegante e të sjellurit.

Vihej në radhë, shpesh pa e mbuluar fytyrën, linte të kalonin femrat dhe të moshuarit dhe më tej me një qetësi dhe ftohtësi ekstreme, u nxirrte pistoletën punonjësve të bankës, duke u kërkuar paratë.

Por ajo që askush nuk e imagjinonte ishte se 67-vjeçari José Manuel Espada Prieto, kishte kryer plotë nëntë grabitje bankash brenda një muaji, në qytete të ndryshme të Spanjës, pasi kishte marrë leje nga burgu, për sjellje të mirë.

Prieto ishte dënuar me 80 vite burg për grabitje me armë dhe plagosjen e një efektivi policie.

Një grabitës i pazakontë i cili nuk përdorte mjete private, por udhëtonte me taksi dhe autobus, pasi kryente vjedhjet e tij.

Ai kishte dalë me leje në fund të muajit prill, por nuk u kthye më në qeli, duke u shpallur në kërkim. Policia nuk arrinte ta ndalonte, as kur grabiste, me një ftohtësi tipike të personit që nuk ka asgjë për të humbur, shkruan noa.al.

Por aktiviteti i tij kriminal u ndërpre teksa po flinte në një hotel Getafe, në periferi të Madridit. Ai u ndalua këtë të mërkurë teksa ishte në gjumë, ndërsa në komodinë mbante pistoletën. 67-vjeçari nuk bëri rezistencë, madje i ironizoi policët duke u thënë, “Bravo, më në fund arritët të më kapnit”. /a.y/noa.al