Transmetuar më 13-06-2018, 19:57

Ndonëse ka nisur sezoni i nxehtë, sërish një pjesë e urbanëve në kryeqytet nuk i ndezin kondicionerët.

Nisur nga ankesat e qytetarëve, Bashkia e Tiranës ka nisur inspektimin e të gjitha linjave urbane. Ata që janë gjetur në shkelje dhe që nuk e ndiznin kondicionerin gjatë lëvizjes janë gjobitur.

“Gjatë muajit Maj dhe këto 10 ditë ne kemi vënë rreth 82 masa administrative vetëm për kondicionerët, pasi abuzohet shumë, sidomos nga operatorët. Disa mjete javë vetë pa kondicioner, disa të tjera ka vonuar mbushja e tyre me gaz. Linjat që janë me probleme, janë Tirana e Re, Linja e Unazës dhe Linja e Uzinës së Autotraktorëve”,  thotë Istref Agalliu, Specialist i Transportit Publik në Bashkinë e Tiranës.

Por pavarësisht gjobave të njëpasnjëshme, inspektorët thonë se ka sërish urbanë që vazhdojnë të mos e përdorin sistemin e kondicionimit, raporton "Klan"

Krahas vlerës monetare, gjoba shoqërohet edhe me heqje të pikëve nga ana e komisioneve pranë Bashkisë së Tiranës, duke i vënë kështu kompanitë e transportit në rrezik për të humbur licencën e shërbimit.