Transmetuar më 13-06-2018, 14:09

Probleme për Iranin, vetëm një ditë para nisjes së Kampionatit Botëror të futbollit në Rusi.

Kombëtarja, ka mbetur pa furnizuar me atletet e futbollit, pasi kompania ‘Nike’, deklaroi se nuk mund ti furnizojë lojëtarët, për shkak të sanksioneve të vendosura nga Presidenti amerikan Donald Trump, për Teheranin.

Por Federata reagoi menjëherë duke kërkuar që kompania të shpjegojë më mirë, arsyet e këtij veprimi.

Irani bën pjesë në grupin B në botëror dhe do të luajë kundër Marokut.

Trita Parsi, President i National Iranian American Council (NIAC), shoqatë dedikuar dialogut të miqësisë mes perëndimit dhe popullit iranian, deklaroi se nuk e ka të qartë arsyen se pse kompania “Nike”, duhet t’iu nënshtrohet këtyre sanksioneve.

Sanksionet më të fundit vijnë pasi Donald Trump tërhoqi SHBA nga marrëveshja bërthamore me Iranin dhe premtoi rikthimin e masave shtrënguese ndaj republikës islamike.

Sanksionet e ndërmarra në bashkëpunim me Emiratet e Bashkuara Arabe ndalojnë çdo amerikan apo kompani amerikane që të bëjnë biznes me ata që janë objekti i masave. /a.y/noa.al