Transmetuar më 13-06-2018, 12:14

Kryeministri Edi Rama shprehet se pa thënë që është në lulëzim, duhet të pranohet se ekonomia është në një kthesë.

Sipas tij, këtë e dëshmojnë të gjithë parametrat e ekonomisë dhe shifra e re e papunësisë, pasqyron as më shumë e as më pak raportin e Bankës Botërore, se në rajon Shqipëria ka bërë progresin më të madh sa i takon papunësisë, më pak se 13%.

Duke folur ditën e sotme nga Durrësi, gjatë prezantimit të projekteve të qarkut ai shtoi se vendi ka potencial të jashtëzakonshëm ende të pashfrytëzuar.

Lidhur me projektet ai tha se rruga Tiranë-Durrës duhet rindërtuar dhe zgjeruar dhe studimi përfundon në korrik.

Por ai bëri me dije se “autostrada Tiranë-Durrës do të jetë me pagesë”, e cila duket se do të bëhet rruga e dytë me pagesë pas Rrugës së Kombit.

Sipas tij, qëllimi është për të rritur kontaktin me Durrësin dhe rindërtimin e shfrytëzimin pa pagesë të rrugës së vjetër Tiranë-Ndroq-Plepa, e cila do të shërbejë si rrugë alternative.

Ai tha se rruga Tiranë-Durrës meriton mirëmbajtje dhe do të bëhet rindërtim dhe zgjerim, për të rritur kontaktin lëvizës, por se autostrada do të shfrytëzohet përkundër pagesës.

“Po ashtu do të bëhet standardizimi i rrugës Plepa-Kavajë-Rrogozhinë. Rrugë e re Kashar-Rrogozhinë do të shkurtojë ndjeshëm lidhjen me bregdetin e Jonit. Së shpejti do të fillojë ndërtimi i linjës hekurudhore që lidh Durrësin me Tiranën dhe Rinasin, që hap rrugën e një numri të caktuar ndërhyrjesh në infrastrukturës hekurudhore, duke fuqizuar portin e Durrësit për të ndikuar në ekonomi. Po diskutojmë sistemin e terminaleve të kroçerave, nuk kemi asnjë”, u shpreh Rama.

Po ashtu ai tha se në Durrës do të ndërtohet terminali i parë i standardeve europiane. /a.y/noa.al