Transmetuar më 13-06-2018, 12:00

Dy vëllezër janë vënë në prangat e policisë së Fierit të shpallur në kërkim, për rrëmbim personi.

Të arrestuarit janë Lani Boraj, 37 vjeç dhe Olen Boraj, 31 vjeç, banues në Ksamil, Sarandë.

Ndalimi i tyre u bë gjatë ditës së djeshme, e martë, pasi Gjykata e Fierit më 24 maj ka dhënë masën e sigurisë “Arrest në burg”.

Ata akuzohen për veprat penale “Heqja e paligjshme e lirisë”, “Prodhimi dhe mbajtje pa leje e armëve dhe municionit luftarak” dhe "Vetëgjyqësia”.

Noa.al mëson se vëllezërit Boraj kanë marrë peng një burrë nga Fieri, duke u kërkuar paratë që ish-gruaja e këtij të fundit iu kishte marrë borxh.

Më konkretisht në korrik të vitit 2017, në bashkëpunim me njeri tjetrin, vëllezërit Boraj në fshatin Hekal, Mallakastër, kanë marrë forcërisht dhe i kanë hequr lirinë për disa orë shtetasit S.B., 46 vjeç, banues në Fier.

Ishte denoncimi i të dëmtuarit ai që vuri në lëvizje policinë, duke nisur hetimet, ndërkohë që të dyshuarit u kapën pas afro një viti. /a.y/noa.al