Transmetuar më 13-06-2018, 09:35

Komisioni i Pavarur i Kualifikimit konfirmoi në detyrë kryetarin e Gjykatës Kushtetuese, Bashkim Dedja.

Vendimi për të u dha paraditen e sotme, nga Komisioni i Pavarur i Kualifikimit, i përbërë nga Valbona Sanxhaktari, Roland Ilia dhe relatorja Xhensila Pine.

Duket se KPK i ka sqaruar paqartësitë që kishte lidhur me pasurinë e Dedes, duke vendosur konfirmimin në detyrë të kreut të Kushtetueses.

Në seancën e mbajtur javën e kaluar rezultoi se Dedja kishte paqartësi sa i takon pasurisë.

KPK konstatoi se kreu i Kushtetueses ka para të pajustifikuara dhe paqartësi në deklaratën e pasurisë.

Ai ka një apartament në Tiranë 146 metra katrorë, për të cilin pretendon se ka marrë një kredi prej 120 mijë eurosh me afat 20 vjet.

Po ashtu për blerjen e hyrjes ai ka deklaruar se 35 mijë euro i ka kursime dhe ka marrë hua 25 mijë euro nga vëllai dhe kunati.

Relatorja e çështjes Xhensila Pine, në seancën e mbajtur javën e kaluar tha se “Bashkim Dedja ka deklaruar njëherë që 25 mijë euro ia ka marrë kunatit, pastaj babait të kunatit. Ka dyshime dhe për 15 mijë euro hua që i ka marrë vëllait”.

Kjo pasi sipas saj, vëllai i gjyqtarit në kohën kur i ka dhënë 15 mijë euro borxh, ka blerë dhe një apartament 40 mijë euro me kredi.

“Ka probleme edhe me një apartament tjetër në Tiranë, të blerë në 1997 me vëllanë e tij. Bashkim Dedja ka ndryshuar deklarimet për apartamentin e blerë në 1997”, u shpreh relatorja.

Po ashtu probleme janë konstatuar edhe me pronësinë e një apartamenti tjetër në Tiranë 98 metër katrorë, i blerë në vitin 2003.

Lidhur me të Bashkim Dedja ka deklaruar se e ka në bashkëpronësi me vëllezërit, ndërsa më tej ka bërë ndryshim, duke thënë se është vetëm i tij.

Por avokati sqaroi se ngatërresa me apartamentin 98 metër katrorë, ishte për shkak të etiketimit “marrëdhënie vëllazërore”, dhe se të ardhurat janë nga vëllai në emigrim. /a.y/noa.al