Transmetuar më 13-06-2018, 08:45

Ditën e sotme Komisioni i Pavarur i Kualifikimit do të marrë vendimin për kryetarin e Gjykatës Kushtetuese, Bashkim Dedja.

Por lidhur me verifikimet e kryera në kuadër të procesit të vettingut, në seancën e mbajtur javën e kaluar rezultoi se Dedja kishte probleme me pasurinë.

KPK konstatoi se kreu i Kushtetueses ka para të pajustifikuara dhe paqartësi në deklaratën e pasurisë, çka e rrezikon që të shkarkohet.

Mësohet se ai ka një apartament në Tiranë 146 metra katrorë, për të cilin pretendon se ka marrë një kredi prej 120 mijë eurosh me afat 20 vjet.

Po ashtu për blerjen e hyrjes ai ka deklaruar se 35 mijë euro i ka kursime dhe ka marrë hua 25 mijë euro nga vëllai dhe kunati.

Relatorja e çështjes Xhensila Pine, në seancën e mbajtur javën e kaluar tha se “Bashkim Dedja ka deklaruar njëherë që 25 mijë euro ia ka marrë kunatit, pastaj babait të kunatit. Ka dyshime dhe për 15 mijë euro hua që i ka marrë vëllait”.

Kjo pasi sipas saj, vëllai i gjyqtarit në kohën kur i ka dhënë 15 mijë euro borxh, ka blerë dhe një apartament 40 mijë euro me kredi.

“Ka probleme edhe me një apartament tjetër në Tiranë, të blerë në 1997 me vëllanë e tij. Bashkim Dedja ka ndryshuar deklarimet për apartamentin e blerë në 1997”, u shpreh relatorja.

Po ashtu probleme janë konstatuar edhe me pronësinë e një apartamenti tjetër në Tiranë 98 metër katrorë, i blerë në vitin 2003.

Lidhur me të Bashkim Dedja ka deklaruar se e ka në bashkëpronësi me vëllezërit, ndërsa më tej ka bërë ndryshim, duke thënë se është vetëm i tij.

Por avokati sqaroi se ngatërresa me apartamentin 98 metër katrorë, ishte për shkak të etiketimit “marrëdhënie vëllazërore”, dhe se të ardhurat janë nga vëllai në emigrim.

Fati për vijimin e karrierës së gjyqtarit të Kushtetueses, do të vendoset nga Komisioni i Pavarur i Kualifikimit, që ka në përbërje Valbona Sanxhaktarin, Roland Ilian dhe Xhensila Pinen. /a.y/noa.al