Transmetuar më 12-06-2018, 23:55

Taksat e rënda indirekte të tilla si TVSH apo akciza karburantesh bëjnë që numri i të varfërve me më pak se 4 dollarë në ditë të jetë shumë më i lartë pas taksave nga sa është para taksave, bëhet e ditur në një studim të Bankës Botërore të publikuar së fundmi.

Qeveria aktuale e Shqipërisë pretendon se është një qeveri e majtë, e cila ka vendosur që nga viti 2014 taksimin progresiv mbi të ardhurat ndërsa thotë se ka rritur taksat për të pasurit dhe të ashtuquajturit oligarkë. Por studimi i Bankës Botërore mbi ndikimin shpërndarës në shoqëri që ka sistemi fiskal në Shqipëri, vëren se sistemi aktual i taksave dhe i transfertave buxhetore rëndon në mënyrë disproporcionale pjesën më të varfër të shoqërisë, veçanërisht përmes taksave të quajtura “indirekte”, si TVSH apo akciza.

Përfitues dhe humbës nga taksat dhe buxheti

Sipas Reporter.al, qytetarët janë kontribues dhe përfitues në buxhetin e shtetit por as kontributi dhe as përfitimet nuk janë të barabarta. Studimi për matjen e efektit të sistemit të taksave në nivelin e pabarazisë së një vendi has shumë dilema mbi atë se çfarë konsiderohet përfitim. Për shembull, studimi i analizon të ardhurat nga pensioni në dy mënyra, një herë si kursime të qytetarëve dhe një herë tjetër si përfitime neto. Po kështu, studimi e ka të vështirë të kuantifikojë përfitimet e qytetarëve në natyrë, në formën e shërbimeve arsimore apo shëndetësore nga buxheti. Por pavarësisht këtyre vështirësive, studimi del në konkluzionin se numri i shqiptarëve të varfër është ndjeshëm më i lartë pas taksave nga sa është para taksave.

“Të ardhurat parafiskale tregojnë 7.5% e familjeve kanë nivel të ardhurash më pak se 2.5 dollarë në ditë, por kjo rritet në 8.1% pasi llogariten efektet e kombinuara të taksimeve direkte apo indirekte si dhe të transfertave të drejtpërdrejta te familjet,” thuhet në studim. “Kjo rritje është më e madhe për nivelin e varfërisë me më pak se 4 dollarë në ditë, nga 22.6 në 29.1% të familjeve”, vijon studimi.

“Taksat dhe kontributet, dhe në veçanti, taksat indirekte, luajnë një rol të rëndësishëm në këtë faktor rritës të varfërisë. Në fakt, reduktimi që jepet nga transfertat e drejtpërdrejta, të cilat kontribuojnë në reduktimin e varfërisë, kompensohen me bollëk nga taksat indirekte me të cilat përballen familjet,” thuhet në studim.

Familjet me të ardhura të ulëta në Shqipëri zakonisht nuk paguajnë tatim mbi të ardhurat personale, por paguajnë tatim mbi vlerën e shtuar dhe kontribute të sigurimeve shoqërore e shëndetësore. Ndonëse tatimi mbi të ardhurat personale është progresiv, kjo është një taksë me peshë shumë të ulët për të sjellë ndonjë ndryshim domethënës (mbi 60% e të punësuarve e kanë pasur TAP zero prej të gjitha kohërave për shkak se kanë paga nën 30 mijë lekë), ndërkohë që Tatimi mbi Vlerën e Shtuar është në masën 20% dhe rëndon njësoj pavarësisht nëse je i pasur apo i varfër. Po kështu, sigurimet shoqërore e shëndetësore nuk janë progresive. Por më shumë se sa mungesa e progresivitetit të taksave, është sasia e paktë e parave për skemat e ndihmave ekonomike ajo që e rrit pabarazinë e sistemit fiskal për të varfrit. Ndihma ekonomike në Shqipëri është në shuma të vogla, mesatarisht 3 mijë lekë në muaj për familje, një shumë kjo e pamjaftueshme për të kompensuar efektin varfërues të TVSH-së.

“Ata që janë sakaq të varfër bëhen edhe më të varfër (varfërim fiskal) si pasojë e taksave indirekte. Hendeku i varfërisë reduktohet kur në llogari përfshihen transfertat e drejtpërdrejta, por efekti i tyre përmbyset kur llogariten taksat indirekte,” thuhet në studim.

Sipas BB, efekti përkeqësues në varfërinë e fashës nën 4 dollarë në ditë i sistemit fiskal shqiptar është më i fortë se sa të gjitha vendet e tjera të analizuara. (Figura 8)

Studimi vëren se pjesa dërrmuese e varfërimit fiskal në rastin e Shqipërisë shkaktohet nga Tatimi mbi Vlerën e Shtuar. Rreth 2.9% e familjeve shqiptare kanë më pak se 2.5 dollarë në ditë për shkak të TVSH-së dhe 6.8% kanë më pak se 4 USD në ditë po për të njëjtin shkak.

Sa i përket ndikimit të taksave në nivelin e përgjithshëm të pabarazisë në vend, studimi bën dy llogaritje, njëra duke i marrë përfitimet nga pensionet si “transferta nga buxheti” dhe tjetra duke i marrë si “kursime” të vetë qytetarëve. Diferenca është e madhe sepse në rastin e parë, pensionistët konsiderohen përfitues nga buxheti ndërsa në rastin e dytë, të ardhurat e tyre llogariten jo si përfitim nga buxheti por si para që ata vetë i kanë të kursyera. Në rast se pensionet konsiderohen “përfitime neto” nga sistemi fiskal, indeksi i matjes së pabarazisë Gini përmirësohet nga 0.37 në 0.32.

Fakti që përmasa e shtetit në ekonominë shqiptare është relativisht e vogël (shpenzimet buxhetore janë sa 30% e PBB-së), nuk është faktor në shkallën e ulët të rishpërndarjes përmes buxhetit të shtetit. Sipas studimit, vende ku shteti ka përmasa të ngjashme me Shqipërinë si Kili, Uruguaj apo Meksika, arrijnë të kenë një efekt shumë më të madh rishpërndarës të buxhetit të tyre në krahasim me ne.