Transmetuar më 12-06-2018, 17:55

Qeveria ka vendosur që të rrisë pensionet për 665 mijë të moshuar, por më shumë sesa një shtesë, në masën e përfitimit, është një indeksim i përvitshëm.

Kryeministri Rama, tha pas mbledhjes së qeverisë në Durrës se janë 15 milionë dollarë për të përballuar rritjen me 2.8 përqind, e cila është më e larta që nga hyrja në fuqi e skemës së re të pensioneve, 1 janar 2015.

“Sot në këtë mbledhje kemi bërë një hap tjetër shumë të vogël, por jo të pandjeshëm për 665 mijë pensionistë. Kemi rritur pensionet mbi inflacionin.

Nëse do t’i referoheshim shifrave, kemi vendosur 15 milion dollarë plus në atë paketën e pensioneve me 2.8%. Duke nisur nga data 1 korrik”, tha kreu i qeverisë.

Një tjetër vendim në mbledhjen e sotme, është edhe përditësimi e listës së barnave dhe mjekimeve në spitale dhe qendra shëndetësore.

“Përfshimë për herë të parë edhe mbi 40 medikamente të tjera të domosdoshme, dhe një valë keqkuptimesh apo keqinformimi që u krijua në fillim, tani po tretet ndërkohë që do të rritet përfitueshmëria e njerëzve në nevojë për mjekim”, deklaroi Rama. /k.k/noa.al/