Transmetuar më 12-06-2018, 09:41

Sot është e marta e fundit e 13 të martave të mira të kishës së Laçit, ditë e cila shoqërohet me numrin më të madh të qytetarëve që i bashkohen pelegrinazhit.

Policia e Lezhës ka marrë një sërë masash për mbarëvajtjen e pelegrinazhit në Kishën e Shna Ndout në Laç më datë 12-13 Qershor 2018.

– Nga ora 08:00 datë 12.06.2018 – ora 24:00 datë 13.06.2018, do të kufizohen disa segmente rrugore mbi lëvizjen dhe parkimin e mjeteve të cilët janë:

“Nga Kryqëzimi i Gjykatës – Kisha e Shna Ndout”

“Nga Kryqëzimi i Poliklinikës – Kisha e Shna Ndout”

“Nga Kryqëzimi i Gjimnazit – Kisha e Shna Ndout”

“Nga Pallati 113 – Kisha e Shna Ndout”

Në këto segmente rrugore do të qarkullojnë vetëm mjete të transportit publik (autobus/ taxi) të licencuara dhe të përcaktuara nga Bashkia Laç, mjetet e Kishës, mjetet e personaliteteve të larta shtetërore ,mjetet e emergjencave civile, zjarrfikësja, ambulanca dhe policia.

Drejtoria Vendore e Policisë Lezhë kërkon mirëkuptimin e drejtuesve të automjeteve, të përdorin akse dhe drejtime të tjera lëvizjeje, pasi, do të vlerësohej si një ndihmë mjaft e çmuar në mbarëvajtjen dhe garantimin e masave të sigurisë rrugore.

-Nga Kryqëzimi i gjimnazit deri te Kryqëzimi i Varrezave do jetë rrugë vetëm për këmbësorët.

– Nga Mbikalimi i Patokut për në qytet Laç nuk do të lejohen të hyjnë mjete të tonazhit të lartë pasi bëhen shkak të bllokimit të qarkullimit rrugor.

– Mjetet do të parkohen në vend parkingje të përcaktuara nga Bashkia Laç. Nuk do të lejohen parkime në vende që bëhen pengesë për qarkullimin e lirë të mjeteve .

Policia e Lezhës, kërkon bashkëpunimin e qytetarëve të Laçit si dhe pelegrinëve përdorues të rrugëve për tek Kisha, drejtues mjetesh apo këmbësorë, që të respektojnë dhe të ndjekin komunikimet e punonjësve të policisë në lidhje me drejtimet e lëvizjeve apo parkimet e mjeteve, një ndihmë kjo në menaxhimin e fluksit të lartë për një mbarëvajtje sa më të mirë të pelegrinazhit.

Rituali i 13-të të martave

Peleginazhi i shenjtë i besimtarëvë të feve të ndryshme fillon në mes të muajit mars, që është e marta e parë e pelegrinazhit në shenjtoren e Shna Ndout dhe përfundon në 13 qershor që është dhe festa e këtij shenjti. Për 13-të të marta, besimtarë të shumtë të të gjitha feve, me qirinj në duar dhe me lutje të veçanta sfidojnë fatin e tyre, duke besuar në mrekullitë e Shna Ndout.

Rituali i shenjtores fillon sapo kalon qytetin e Laçit dhe fillon ngjitjen në mal. Ndalesa e parë bëhet tek gjurmët që është dhe vendi ku mendohet se ka kaluar Shna Ndou. Në gurë janë shenjat e këmbëve dhe të duarve të tij, gjithashtu vendi ku mendohet se ai ka pushuar. Të gjithë besimtarët përshkojnë këto pjesë të shenjta të pelegrinazhit me prekje dhe vendosje të kokës, duarve dhe komplet trupit në vendin për të cilin mendohet se ka kaluar Shna Ndou. /a.y/noa.al