Transmetuar më 12-06-2018, 07:42

Krimi i dyfishtë i shënuar mëngjesin e 8 qershorit në zonën e “Don Boskos” në Tiranë, ku 31-vjeçari Xhafer Mata vrau ish-të dashurën e tij Xhuljeta Çuni 19 vjeçe, tronditi gjithë vendin.

Por për shkak të denoncimeve që e reja kishte bërë, të cilët duket se nuk janë trajtuar siç duhet, ka nisur procedimi disiplinor për drejtuesit e komisariatit nr.3.

Mësohet se më 7 maj, vajza kishte bërë denoncim në komisariatin e policisë ndaj Xhaferit, të cilin e akuzonte për përndjekje. Por pavarësisht se ishte shoqëruar, 31-vjeçari nuk ishte arrestuar.

Pikërisht një muaj para se të ekzekutohej, e reja në gjendje të rënduar psikologjike ishte paraqitur në komisariat për të denoncuar Xhaferin, për shkak se nuk ndihej e sigurt.

Policia e garantoi të renë se do të ishte në mbrojtje policore dhe se nuk do i ndodhte asgjë, madje pak ditë para krimit uniformat blu kishin lajmëruar edhe nënën e Xhuljetës, mbi denoncimin që kishte bërë e bija.

Por çdo tentativë e 19-vjeçares për të gjetur shpëtim, duket se ra në vesh të shurdhët, pasi ajo u ekzekutua mëngjesin e të premtes që lamë pas, teksa shkonte për në provimin e maturës, atë të Letërsisë.

Vajza akuzonte djalin për përndjekje, duke thënë se nuk e linte të qetë edhe pas ndërprerjes së lidhjes mes tyre, ndërsa ai kishte një tjetër version.

Xhaferi e akuzonte vajzën që dashuronte se i kishte marrë borxh një shumë të konsiderueshme parash dhe refuzonte që t’ia kthente.

Pikërisht për këto konflikte ata i ishin drejtuar disa herë komisariatit nr.3 të policisë, ku ajo kërkonte të merrte fund përndjekja, ndërsa ai shfajësohej duke thënë se kërkonte vetëm lekët e tij.

Por mësohet se për shkak të lidhjes që kishte krijuar me Xhuljetën, 31-vjeçari u divorcua edhe nga e shoqja në muajin janar, ku nga martesa me të ka dhe një djalë.

Mirëpo pak kohë pas divorcit të 31-vjeçarit, Xhuljeta i ka dhënë fund lidhjes mes tyre, duke bërë që i riu të humbë toruan, duke e akuzuar se i prishi familjen dhe tashmë e kishte braktisur. /a.y/noa.al