Transmetuar më 11-06-2018, 09:10

“Mbyllni derën, mbyllni derën. Bllokoni derën, fikni dritat, mos flisni. Futuni poshtë tavolinës dhe prisni deri sa të jeni të sigurtë”.

Kështu shkruhet në një tabelë të vendosur në muret e një shkolle fillore në Massachusetts, SHBA.

Është kjo mënyra që kanë gjetur edukatorët për t’iu mësuar fëmijëve 5-vjeçar se si të veprojnë në rast të të shtënave me armë zjarri.

Tabela është bërë me ngjyra dhe vizatime që lehtësojnë memorizimin e rregullave.

Ishte Georgy Cohen, nëna e një prej fëmijëve të asaj shkolle që publikoi fotografinë në rrjetet sociale, duke bërë që të përhapet me shpejtësi.

“Shkolla po bën pikërisht atë që duhet të bënte dhe unë jam e kënaqur për këtë. Por problemi i vërtetë janë rrethanat politike dhe kulturore të cilat na kanë çuar në këtë situatë. Ligjvënësit duhet të kuptojnë urgjencën e një reforme për armët”, shkroi gruaja.

Komentet pas këtij postimi ishin të shumta, ku mes tyre tabela krahasohej me ato të tabelave në rast të rënies së zjarrit. /a.y/noa.al