Transmetuar më 11-06-2018, 07:58

Festa e Panit mblodhi banorë të shumtë nga krahina e Kurveleshit si dhe fshatrat e bregut të detit në sheshin e restauruar totalisht të fshatit Nivicë.

E menduar në dy pjesë si një mënyrë për të promovuar jetën blegtorale si dhe tufat e mëdha të dhive si një prej pjesëve më të spikatura të traditës labe, kjo festë gjallëroi një prej zonave të braktisura të jugut.

Por festa shërbeu edhe si një mundësi për të sjellë bashkë banoret e zonave bregdetare dhe atyre malore. Kjo ishte hera e parë që në mënyrë të organizuar banorët të kishin mundësi të reklamonin prodhimet e tyre duke pasur mundësi që në të ardhmen të krijonin bashkëpunim në shkëmbimin e produkteve respektive.

Për më shumë vendosje e bashkëpunimit tregtar në industrinë lokale të turizmit duke promovuar prodhime vendase në të gjitha hotelet dhe restorantet e jugut.

Ndërkohe në mbrëmje barinjtë e zonës me krenari prezantuan përpara një jurie cjepët që prijnë kopetë e tyre. Cjapi, një simbol i rëndësishëm i pjellorisë, rezistencës dhe bukurisë së tufave baritore është personifikimi i kësaj treve e cila që nga lashtësia e ka ruajtur këtë kafshë si një prej vlerave më të rëndësishme të saj.

Për këtë arsye Pani i mitologjisë, mbrojtësi i barinjve kullotave dhe jetës blegtorale u përzgjodh si një simbol i rimëkëmbjes së jetës në këtë zonë të braktisur nga banorët e saj, por që me zhvillimin e turizmit rural mund të marrë jetë.