Transmetuar më 08-06-2018, 20:54

Shumë zhurmë për asgjë, ose ndoshta ishte thjesht një lojë!

Blendi Fevziu, pavarësisht se në dalje publike dhe raportime mediatike, u citua se kishte probleme dhe pakënaqësi me Tv Klan dhe pronarin e saj, Aleksandër Frangaj, do të vazhdojë të ketë emisionin e tij “Opinion”, në këtë televizion, aktualisht me audiencën më të lartë në Shqipëri.

Tv Klan publikoi një informacion zyrtar ku tha se mes Fevziut dhe Frangajt është nënshkruar një kontratë që e detyron drejtuesin e “Opinion” të qëndrojë në Klan edhe për pesë vite të tjera.

“Karriera mbi 20-vjeçare e Blendit Fevziut me emisionin “Opinion” është e lidhur ngushtësisht me historinë dhe suksesin e Televizionit Klan. Ky bashkëpunim i suksesshëm do të vijojë gjatë”, – thotë Tv Klan.

Prej disa javësh në media u raportua se Fevziu ishte duke negociuar me Ben Blushin, drejtor i Top Channel dhe shokë të ngushtë prej vitesh mes tyre, që emisionin “Opinion” të kalojë në TV që drejton prej muajsh ish deputeti socialist dhe ish kryetari i partisë LIBRA.

Mesa duket asgjë nuk ishte e vërtetë, por ndoshta edhe një zhurmë e krijuar enkas për të rritur edhe më shumë audiencën dhe vëmendjen ndaj emisionit politik të Fevziut. 

Në më shumë se 20 vjet, në Opinion janë zhvilluar rreth 2.600 emisione, me mbi 9.600 të ftuar. /noa.al/