Transmetuar më 08-06-2018, 19:28

Gazsjellësi TAP, është vepër gjigante që për Shqipërinë pritet të sjellë përfitime të mëdha. Prej vitesh, që kur kanë nisur punimet në terren për realizimin e projektit përfitimet janë ndjerë pasi qindra persona janë punësuar.

po ashtu janë financuar nga kompania e gazsjellësit edhe vepra publike.

Por Ministri i Ambientit në Itali, ka bërë një deklaratë të fortë.

“TAP është një projekt i padobishëm dhe ne do ta rishikojmë atë”, ka deklaruar Sergio Costa, ministri që vjen nga radhët e partisë populiste “5 Yjet”.

Në Itali çështja ka shkuar edhe në gjykatë, por kjo e fundit i ka dhënë të drejtë konsorciumit.

Ministri tha se “rishikimi i TAP është përfshirë edhe në programin mes dy partive qeverisëse”.

Gjithsesi, ekspertët thonë se vendimi i Italisë nuk dëmton Shqipërinë, përkundrazi transaksionet tregtare dhe përfitimet edhe mund të shtohen për vendin tonë.

TAP shihet si një vepër e rëndësishme nga SHBA-BE kundër varësisë nga gazi rus./a.m./noa.al/