Transmetuar më 08-06-2018, 14:42

Xhafer Mata, 31-vjeçari që ditën e sotme vrau vajzën që dashuronte dhe veten, i kishte shkruar dhe në rrjetet sociale përjetimet e tij.

Më 4 qershor ai kishte bërë një postim, ku shkruante, se shiti shpirtin pas asaj dashurie dhe se kaloi çdo natë duke ndërtuar ëndrra dhe iluzione.

Gjithçka i riu i cili bëri masakrën te zona e “Don Boskos” në Tiranë, e kishte shkruar, nëpërmjet një postimi në Facebook: “Luftova, humba shpirtin pas saj. Shita shpirtin pas asaj dashurie, kalova çdo natë duke ndërtuar ëndrra, edhe iluzione. Kalova netë pa gjumë, duke e menduar! Duke menduar që në altar të ishte ajo me fustan të bardhë edhe unë të jem dhëndri. Ëndërrova me atë. Por edhe pse e desha më shumë se veten, kjo gjë nuk mjaftoi”.

31-vjeçari nga Kukësi, mëngjesin e kësaj të premteje, vrau vajzën Xhuljeta Çunin, 19 vjeçe, pas refuzimit që mori prej saj.

Mësohet se i dyshuari për krimin jetonte në një shtëpi dy katëshe në zonën e “Don Boskos” në Tiranë, bashkë me prindërit dhe djalin 1 vjeç, i ardhur në jetë nga martesa e tij e parë.

Por bazuar në dëshmitë e fqinjëve ai kishte vetëm pak kohë që ishte divorcuar.

Nga hetimet parapake rezulton se shkak për divorcin ishte bërë historia e dashurisë që kishte nisur me Xhuljetën, e zgjatur për disa muaj.

E ndjera jetonte në të njëjtën lagje me Xhaferin dhe punonte si shitëse në një market, teksa ai ishte inxhinier mekanik dhe punonte në një servis makinash në lagje. Madje në fund të muajit maj, ai ishte diplomuar në Fakultetin e Inxhinierisë Mekanike.

Pak para krimit të ndodhur në zonën e “Don Boskos”, 31-vjeçari e kishte lënë djalin tek familja fqinje, që jetonte me qera në vilën e tij, duke iu kërkuar të kujdeseshin për pak kohë për të, pasi kishte punë.

Por ai nuk u kthye më pas, duke vrarë vajzën që i kishte thyer zemrën dhe më pas edhe veten. /a.y/noa.al