Transmetuar më 05-06-2018, 19:00

Në Orikum u çel sot sezoni turistik. Me këtë rast, u zhvillua një aktivitet ku ishte i pranishëm edhe kryeministri Edi Rama, i cili siç dihet është deputet i qarkut të Vlorës.

Gjatë fjalës së mbajtur, kryeministri foli për objektivin ambicioz për kapjen e numrit të 10 milionë turistëve brenda një sezoni, objektiv ky i vendosur për 5 vitet e ardhshme.

“Objektivi për të arritur 10 milionë turistë në harkun e 5 viteve të ardhshme është plotësisht i mundshëm. Është plotësisht i mundshëm sepse potencialet turistike nuk janë shfrytëzuar si duhet. Shqipëria po kthehet në destinacion”, tha Rama.

Po ashtu, ai tha se janë disa faktorë pse rritja e numrit të turistëve është i mundshëm. Sipas Ramës, një prej tyre lidhet me rritjen e kërkesave për investime si nga shqiptarët por edhe të huajt.

“Ne shikojmë që fluksi i kërkesave për të investuar në turizëm, qoftë të brendshme, qoftë që vijnë nga jashtë, është në rritje shumë të ndjeshme”, vijoi Rama.

Më tej ai u ndal edhe tek projektet konkrete që po realizohen në Vlorë që sipas tij do t’i japin një hov të ri turizmit.

Rama veçoi projektin për bulevardin “Ismail Qemali” që sipas tij do t’i japë pamje të re qytetit.

“Ne e dimë që sot Vlora është ende një kantier. I gjithë bulevardi “Ismail Qemali” është në rindërtim rrënjësor, e jam i bindur që viti ne ardhshëm do i japi qyteti një fuqi të re, duke u pasuruar me elementët që sjell projekti. Gjelbërimi do të disafishohet në krahasim me atë që ishte”, vijoi kryeministri.  

Ai tha më tej se “kam bindjen se aeroporti i Vlorës do të realizohet edhe më shpejtë seç është parashikuar”./a.m./noa.al/