Transmetuar më 04-06-2018, 09:43

Kartëmonedha 1 mijë lekëshe është prerja e lekut shqiptar që bie më shpesh pre e falsifikimit.

Sipas Bankës së Shqipërisë, edhe gjatë vitit 2017 pjesa dërrmuese kartëmonedhave të zbuluara si të falsifikuara i takonin kësaj prerjeje.

Pjesa tjetër e parasë së falsifikuar ndahet mes kartëmonedhave 500 lekëshe dhe atyre me vlerë 2 mijë lekëshe. Për sa i takon monedhave metalike, falsifikimi është në përmasa të papërfillshme dhe lidhet kryesisht me monedhën 50 lekëshe.

Numri i kartëmonedhave false për 1 milion copë kartëmonedha në qarkullim ka qenë 5.7 copë në vitin 2017.

 Sipas Bankës së Shqipërisë, krahasuar me monedhën euro, ky raport është dukshëm më i vogël.

Banka Qendrore vlerëson se përgjithësisht falsifikimi i kartëmonedhave bëhet me metoda të thjeshta dhe ka nivel të ulët sofistikimi. Falsifikuesit përdorin kryesisht riprodhimet dixhitale me ngjyra, të kombinuara me aplikimin e metodave shtesë për imitimin e elementeve bazë të sigurisë. Për momentin, në falsifikimin e lekut nuk ka vërehen tendenca drejt printimeve me natyrë profesionale, që tentojnë të imitojnë elementët e sigurisë të lexueshëm nga pajisjet autentifikuese.