Transmetuar më 29-05-2018, 22:54

Një adoleshent nga Alabama e SHBA-ve, fotografia e të cilit është bërë virale pasi është parë duke ecur me kilometra të tëra për të arritur në ceremoninë e diplomimit të shkollës së mesme, është bërë me makinë të re.

Fotografia e Corey Patrick u shfaq shpejt në internet kur një kalimtar rasti e shkrepi, ku shihej duke ecur drejt stacionit të autobusit për të arritur në kohë për në ceremoninë e diplomimit të tij.

Familja e 19-vjeçarit nuk ka një makinë, por kjo nuk e ka penguar që Corey të vraponte për të mos humbur ceremoninë në Shkollën e Mesme Tarrant.

Pasi familja e tij u zhvendos para katër vitesh në lagjen West End, atij i duhej çdo ditë të zgjohej në 4:30 të mëngjesit dhe të ecte 16 kilometra deri në stacionin e autobusit, dhe më pas të vazhdonte rrugën me transport publik, për të ndjekur shkollën.

Ai zgjohej çdo ditë në 4:30 të mëngjesit dhe duhej të ishte në stacionin e autobusit në 5:41. Më pas kthehej në shtëpi në orë 7 të pasdites.

Nëna e tij Felicia White, tha se familja e saj nuk kishte arritur që të siguronte një makinë për ta dërguar djalin në ceremoninë e diplomimit.

Dhe pasi fotografia e Corey u bë virale në rrjetet sociale, gazetari i një radio lokale Rickey Smiley i kërkoi ndjekësve të tij që ta gjejnë adoleshentin.

Pasi e gjetën, gazetari i dhuroi familjes së Corey një makinë, në shenjë respekti për përkushtimin e djaloshit për tu shkolluar.