Transmetuar më 16-05-2018, 11:59

Kryeministri Edi Rama ka shprehur sot qëndrimin e tij dhe të mazhorancës lidhur me akuzat ndaj Ministrit të Brendshëm Fatmir Xhafaj se po mbron vëllain e cili është dënuar nga Italia për trafik droge.

Partia Demokratike ka akuzuar ministrin se edhe kohët e fundit vëllai i tij vijon të merret me trafik droge. Këto dyshime të PD lidhen me një audio-përgjim ku sipas saj dëgjohet vëllai i ministrit duke bërë pazare droge.

Por ky material që për opozitën përbën provë të fortë, sipas kryeministrit Edi Rama nuk është autentik.

“Nuk ka asnjë provë kompromentuese për Ministrin e Brendsëm. Jemi përballë një materiali jo autentik, përmes të cilit synohet destabilizimi i qeverisjes, mundësisht shkatërrimi i segmentit të fundit për çeljen e negociatave. Dje pasdite SHQUP-i e ka shpërndarë përmes e-mailit si “Breaking News”, te çdo adresë e-maili në Evropë. Një tjetër overdozë balte për të reduktuar mundësisht, po sigurisht për të mbajtur të motivuar deputetët t’i bien ndesh çeljes së negociatave”, deklaroi Rama.

Më tej kryeministri tha se ministri Fatmir Xhafaj nuk ka as përgjegjësi ligjore dhe as përgjegjësi morale lidhur me këtë çështje.

“Ministri i Brendshëm nuk duhet për përgjigjet, ligjërisht jo e jo, por as moralisht. Për dënimin e vëllait të ministrit nuk ka pasur asnjë kërkesë ekstradimi. Pavarësisht kazanit mediatik të opozitës, pavarësisht teorive të revolucionarëve  që kërkojnë drejtësi, por që nuk kanë lexuar në jetën e tyre, në mungesë të kësaj kërkese, sinqerisht Shqipëria nuk ka vepruar dot se s’ka pasur si të veprojë, as në kohën kur qeveriste qeveria e sotme opozitare se atëherë kur është marrë vendimi, e cila nuk ndërron zakon, por as qime, 30 vjet e njëjta qime, dhe as sot që ne qeverisim.

Për ne dhe për mua askush nuk është mbi ligjin, dhe kjo vlen edhe për vëllain e ministrit që ka dënim për të kryer e sot ka marrë vendimin për të shkuar me këmbët e veta në burg. Se s’jemi të gjithë njësoj. Por kjo vlen edhe për qeverinë e cila nuk mund të shkelte ligjin ta çonte në Itali duke shkelur ligjin. Ky ka qenë qëndrimi i asaj qeverie, ky është edhe qëndrimi i kësaj qeveria. Për mua s’ka pasur asgjë të panjohur në këtë histori”, tha Rama.

Çështja “Tahiri”

Kryeministri deklaroi gjatë fjalës se ka pasur shumë mesazhe nga njerëzit e krahut të tij politik se “po lëshon njerëzit e tij”, referuar këtu edhe çështjes “Tahiri”. Ai tha se askush nuk do lëshohet për “dhëmbët e ujqërve” që shpifin.

“100 herë ne do mbanim të njëjtin qëndrim e do mbaja të njëjtin fjalim ndaj Tahirit, jo për të mos lëshuar njeriu tonë, por në mbrotje për të drejtën kushtetuese për të mohuar një padrejtësi, e cila na njeh të drejtën që të gjykojmë kur prokuroria na vjen këtu në parlament. Ne nuk kemi njerëz për të lëshuar në dhëmbët e ujqërve, por nuk kemi njerëz që t’i kërcasin dhëmbët drejtësisë kur cilido vihet në akuzë”, tha Rama. 

“Kur Saimir Tahiri u dënua me “arrest shtëpie” unë kisha faj se e mbrojta nga “arresti me burg”, dhe nga ana tjetër po unë kisha faj pse e lëshova e nuk e mbrojta nga “arresti i shtëpisë”. Këtë e kam jo për ju, por të gjithë ata që na ndjekin. Ku hyj unë, dhe pse duhet të hyj në këtë mes”, vijoi Rama./a.m./noa.al/