Transmetuar më 15-05-2018, 13:06

Ish-ministri i Brendshëm Saimir Tahiri ishte sot para gjykatës për tu njohur zyrtarisht me masën e sigurisë “arrest shtëpie” që gjykata ka dhënë më herët ndaj tij. Tahiri ka replikuar ashpër jo vetëm me prokurorët e çështjes që kërkuan izolomin e tij në burg, por edhe me gjyqtaren.

“Ju keni thënë për mua ‘arrest shtëpiak’ po për mua është njësoj si ‘arrest me burg’”, mësohet të ketë thënë ish-ministri.

 “Ju argumentoni se unë kam aftësi të prish e dëmtoj provat, kjo nuk është e vërtetë dhe është e pamundur. Këtë argumentim e keni dhënë dhe më herët në vendimin kur shpallët bllokimin e pasaportës. Ju po ndiqni të njëjtin kriter si kur isha deputet dhe tani që jam qytetar i lirë. Ju thoni se ekziston rreziku i ikjes, nuk ka asnjë mundësi që unë të largohem. Gjatë kohës që më është kthyer pasaporta kam lëvizur disa herë jashtë vendit dhe jam kthyer sërish në Shqipëri. Unë mandatin e dorëzova vullnetarisht dhe jam i hapur për drejtësinë dhe për të parë drejtësinë në sy”, ka thënë ai.

Ndërkohë mësohet se prokuroria ka ndërmarrë veprime të tjera hetimore. Prokurori Besim Hajdarmataj deklaroi para gjykatës se janë dërguar dy letërporosi të reja në Itali dhe një në Mal të Zi. Sa i takon blerjes së bizhuterive me vlerë pesë mijë euro në Itali, ato janë konfirmuar në letërporosinë e mbërritur nga Italia por nuk vërtetohet nëse ishin dhuratë për Saimir Tahirin nga Moisi Habilaj.

Pasi dëgjoi argumentimet e prokurorit, Tahiri ka replikuar duke e pyetur gjyqtaren: “A mund të më thotë prokuroria për cfarë kam dhënë urdhër, a ka ndonjë moment ku unë shfaqem në praninë e personave që akuzohen?”

Prokurori Hajdarmataj ka dhënë disa informacione lidhur me udhëtimet në Greqi të Tahirit dhe takimet me Artan Habilajn.

“Në gusht në 2014 ka udhëtuar në Greqi me skaf në emër të Orges Liperit, dyshime se është blerë me okazion, 15 mijë euro, ndërkohë në një muaj shërbimet kanë kushtuar 20 mijë euro. Ka shkuar në Korfuz e Lefkadha, skafi ka pësuar defekt, Tahiri ka thirrur punonjësin e policisë që ka udhëtuar me Artan Habilajn, me “Audin” që i ka shitur atij. Në Greqi Artan Habilaj ka drekuar dhe darkuar me Tahirin. Akuzë që Tahiri e ka mohuar”, ka thënë ai./a.m./noa.al/