Transmetuar më 14-05-2018, 13:02

Presidenti Ilir Meta zhvilloi sot një vizitë pune në Bashkinë e Cërrikut ku u prit nga kryetari Bashkisë, Altin Toska, autoritetet vendore, deputetë të Elbasanit e qindra banorë, ish-partizanë e partizane dhe të afërm të dëshmorëve të Luftës Antifashiste Nacional-Çlirimtare.

Presidenti Meta mori pjesë në ceremoninë përkujtimore të 75-vjetorit të themelimit të Batalionit partizan të Dumresë.

Pasi vendosi një kurorë me lule në lapidarin kushtuar kësaj ngjarjeje historike, Presidenti i Republikës përshëndeti të pranishmit duke u shprehur, se “Shumica e partizanëve dhe partizaneve që e krijuan këtë Batalion ishin normalistë, në moshën më të bukur, kur njeriu thur ëndrrat më të bukura, dhe ëndrra e tyre ishte liria e Shqipërisë, sepse pa lirinë nuk mund të ndërtohet asnjë ëndërr tjetër. Por ata e realizuan atë me sakrifica të panumërta, me gjakun e tyre. Me të drejtë ngrihet shqetësimi sot që kjo Luftë duhet mbrojtur, sepse duhet mbrojtur vepra dhe produkti që ajo solli. E theksoj edhe njëherë se pa 29 Nëntorin e vitit 1944, ne nuk do të kishim mundësi as të gëzonim, dhe as të festonim përvjetorët e 28 Nëntorit të vitit 1912”.

Njëkohësisht ai përgëzoi dhe Bashkinë e Cërrikut për këtë organizim e vëmendje që i kushton ngjarjeve historike.

Në vijim të qëndrimit në Cërrik, Presidenti, i shoqëruar nga autoritetet vendore si dhe nga deputetë të Elbasanit, vizitoi edhe panairin e “Pranverës” të agro-biznesit dhe artizanatit, që zhvillohet për të tretin vit radhazi.

Duke u takuar personalisht me prodhuesit, zejtarët artizanalë dhe fermerët e zonës së Cërrikut, Presidenti Meta theksoi nevojën e domosdoshme që prodhimet bio “Made in Albania” të promovohen e të dalin në pah sa më shumë. /a.y/noa.al